Kurti: Serbia të ballafaqohet me të kaluarën kriminale në Kosovë.      /Foto: AA

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, deklaroi sot se Serbia duhet të ballafaqohet me të kaluarën e saj kriminale në Kosovë, dhe se Prokuroria Speciale duhet të punojë ditë e natë në mënyrë që përgjegjësit të identifikohen dhe të nxirren para drejtësisë. Sipas tij, vetëm në këtë mënyrë do të fillojë rehabilitimi për viktimat e luftës së fundit në Kosovë.

Pas homazheve te lapidari i masakrës në lagjen “Dardania” në Pejë, Kurti theksoi se drejtësia dhe e vërteta janë të domosdoshme për paqe afatgjatë për siguri për të gjithë dhe për marrëdhënie të mira fqinjësore e normale.

"Këtu në Pejë bëmë homazhe te lapidari duke u përulur e përkujtuar 40 të vrarët gjatë luftës së fundit në Kosovë nga forcat serbe këtu në lagjen ‘Dardania’. Drejtësia dhe e vërteta janë të domosdoshme për paqe afatgjatë, për siguri për të gjithë dhe për marrëdhënie të mira fqinjësore e normale. Serbia duhet të ballafaqohet me të kaluarën e saj kriminale në Kosovë", tha Kurti.

Nga ana tjetër, të zhgënjyer nga puna e institucioneve në lidhje me organizimin e këtyre përvjetorëve, janë shprehur familjarët e dëshmorëve.

Familjari i dëshmorit, Ismet Nikqi, Besimi është shprehur i zhgënjyer me punën e institucioneve. Ai tha se duhet më shumë punë në këtë drejtim.

"Është vrarë me 15 mars të vitit 1999, tash është 24-vjetori... Por, mendoj se (institucionet) mund të bëjnë më shumë dhe në mënyrë më të organizuar...Në një përvjetor është organizimi qendror, në një tjetër i komunës, te një tjetër i organizatës së veteranëve, por kryesisht më të përkushtuar kanë qenë OVL-të dhe ajo e familjarëve të dëshmorëve", tha Nikqi.

Në këtë 24-vjetor sot kujtohen dhe nderohen 71 viktimat e lagjes Dardania 1, 2 dhe 3.

Më 27 mars të vitit 1999, banorët e lagjes Dardania në Pejë kishin përjetuar një tmerr kur paramilitarët serbë kishin filluar t’i ndanin burrat nga familja e tyre dhe më pas i kishin pushkatuar.


TRT Balkan / agjencitë