Osmani uron Ditën e Forcës: FSK, e gatshme t’i bashkohet NATO-s. / Foto: ATA

Në Kosovë kremtohet Dita e Forcës. Për hir të kësaj dite presidentja e Kosovës Vjosa Osmani përkrah kryeministrit Albin Kurti ka vizituar kazermën “Adem Jashari”, duke thënë se kjo është ditë krenarie për të gjithë, për të cilën është derdhur shumë gjak.

Ajo vlerësoi rolin e FSK-së për sigurinë e rajonit, për të cilën tha se është trajnuar sipas standarteve të NATO-s.

“Jam e bindur që secili ushtar e ushtare e mban me krenari uniformën, prandaj edhe është i gatshëm të japë edhe jetën për atdheun nëse është nevoja. Sot FSK-ja është forcë e trajnuar sipas standardeve më të larta të NATO-s, forcë e cila jep kontribut jo vetëm për paqen në rajon, por edhe përtej. Duke shërbyer krah forcave amerikane, britanike e ushtrive të tjera aleate nëpër vende të ndryshme të botës, kështu duke dëshmuar se FSK-ja është e gatshme t’i bashkohet NATO-s”, tha e para e vendit.

Osmani, e cila gjithashtu ka rolin e Komandates Supreme të FSK-së, u zotua se do të krijohen kushte më të mira për ushtarët e vendit, në mënyrë që të rritet vullneti i tyre për punë.

“Do të punojmë të krijohen kushte më të mira duke punuar me institucionet e tjera, qofshin ato të mirëqenies, qofshin ato të trajnimeve në mënyrë çdo ushtarë të ketë më shumë prosperitet e motiv për më shumë punë. Jemi vazhdimisht në koordnim në mënyrë që ushtria të arrijë majat më të larta. Gëzuar të gjithëve Dita e Forcës dhe festat e Nëntorit”, përfundoi presidentja Osmani.

TRT Balkan / agjencitë