Kurti takon ambasadorët e QUINT-it, diskutojnë për rregulloren e BQK-së      / Foto: Qeveria e Kosovës

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi, takoi ambasadorët e shteteve të QUINT-it dhe Shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.

Takimi u zhvillua në kuadër të takimeve të rregullta me ambasadorët, në qëllim të informimit, diskutimit dhe koordinimit mbi temat të ndryshme aktuale, njoftojnë nga Qeveria e Kosovës.

"Ndër çështjet kryesore të diskutimit ishte ajo rreth Rregullores së Bankës Qendrore që pritet hyjë në fuqi nga 1 shkurti, me theks të veçantë të neni 35 i saj i cili përcakton se valuta e vetme e lejuar të përdoret për kryerjen e transaksioneve të pagesave me para të gatshme dhe në sistemin e pagesave në Republikën e Kosovës është euro, si valutë e vetme sipas nenit 11 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe Ligjit për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës", thuhet në kumtesën e Qeverisë së Kosovës.

Kryeministri Kurti në takim theksoi rëndësinë e respektimit të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë në vend nga të gjithë dhe në të njëjtën kohë respektimit të autoriteteve të pavarura, në këtë rast të Bankës Qendrore të Kosovës.

TRT Balkan