Ndryshimet kushtetuese janë kusht që Maqedonia e Veriut të hapë kapitujt e negociatave për anëtarësim në BE.
Ndryshimi kryesor, pjesë e dokumentit të njohur si “propozimi francez” është përfshirja e pakicës bullgare në preambulën e kushtetutës së Maqedonisë së Veriut.
Kjo parashihet me Marrëveshjen me Bullgarinë, për kapërcimin e kontestit mes dy vendeve për çështjet që kanë të bëjnë me historinë, gjuhën dhe identitetin maqedonas.
Mirëpo, hapja e kushtetutës për përfshirjen e bullgarëve në preambulë zgjoi aspiratat e shqiptarëve që të parashtrojnë kërkesa për ndryshime të tjera kushtetuese.
Riformulimi i gjuhës shqipe në kushtetutë
Partitë politike shqiptare qoftë ata të pushtetit ose opozitare njëzëri kërkojnë ridefinimin e gjuhës shqipe në Kushtetutë. Aktualisht, gjuha shqipe në Kushtetutë njihet si gjuhë të cilën e flasin mbi 20 për qind nga numri i përgjithshëm i popullsisë.
Sipas tyre thuhet se “ka ardhur koha që të hiqet termi ‘20%’ dhe zëvendësimi i të njëjtit me formulim adekuat siç është ‘gjuha shqipe’ dhe ‘populli shqiptar’”.
Opozita maqedonase me kërkesa të tjera
Nga ana tjetër, opozita maqedonase e udhëhequr nga VMRO-DPMNE-ja kanë pranuar kërkesën sa i përket ndryshimit të statusit të gjuhës shqipe, mirëpo ndërkohë kanë dalë me kërkesa të tjera që nuk u shkojnë për shtati shqiptarëve.
Ata thonë se duhet të hiqet nga Kushtetuta parimi për mbrojtjen e bashkësive etnike ose të shqiptarëve nga mbivotimi dhe nga përcaktimi tjetër kushtetues që parasheh garantimin e përfaqësimit të shqiptarëve në institucionet shtetërore.
“Unë asnjëherë nuk kam qenë kundër, pajtohem absolutisht se kjo përqindje duhet të zhduket, në vend të ‘ligjit për përdorimin e gjuhëve që e flasin më së paku 20 për qind e qytetarëve’, kur shumë thjesht mund të quhej ‘ligji për përdorimin e gjuhës shqipe’. Por, unë gjithashtu pres që të ndërtojmë shoqëri e cila bazohet në cilësi, kompetencë, të mos jetë një shoqëri në të cilën profesioni do të jetë përkatësia etnike, të mos i nënçmojmë njerëzit me badenter balansues”, ka deklaruar kreu i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickoski.
Megjithatë, kjo për partitë shqiptare nuk është e pranueshme, meqenëse bëhet fjalë për dispozita thelbësore për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
Sinjal tjetër për vështirësinë e realizimit të ndryshimeve kushtetuese është edhe kundërshtimi i opozitës maqedonase ndaj marrëveshjes me Bullgarinë të cilën e vlerësojnë si të dëmshme për interesat shtetërore dhe kombëtare maqedonase.
Takimi i liderëve partiakë me kryeministrin
Lidhur me ndryshimet kushtetuese, kryeministri i vendit, Dimitar Kovaçevski, këtë fillimjavë realizoi një takim me liderët e partive politike me ç’rast nuk u arrit konsensus i përbashkët. Pavarësisht epilogut të këtij takimi, Kovaçevski e vlerësoi si pozitive rrjedhën e takimit dhe si një hap përpara, takim në të cilin partitë i prezantuan qëndrimet e tyre.
Sipas tij, “të gjitha partitë politike janë dakord se procesi evropian, në përputhje me përcaktimin strategjik për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE, është një proces mbipartiak dhe gjithëpërfshirës”.
Partitë e vogla me kërkesa reciproke ndaj Bullgarisë
Ndërkohë, partitë më të vogla maqedonase ndryshimin e Kushtetutës e kanë kushtëzuar me njohjen e pakicës maqedonase në Bullgari.
“Kërkoj që kjo të kushtëzohet me njohjen e pakicës maqedonase që jeton në Bullgari dhe ne duhet të ndërtojnë një qëndrim të përbashkët që bashkëkombësit tanë të realizojnë të drejtat e tyre kombëtare në shtetin fqinj”, tha Pavle Trajanov, kryetar i Lidhjes Demokratike.
Vetoja e Bullgarisë, kushtet dhe afatet për ndryshimet kushtetuese
Kujtojmë se në vitin 2017 Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria nënshkruan Marrëveshjen për Fqinjësi të Mirë, që synonte kapërcimin e dallimeve mes dy vendeve, por në vend të kësaj raportet mes tyre u tensionuan deri në vendosjen e vetos nga ana e Bullgarisë në nëntor të vitit 2020.
Ndryshimet kushtetuese bëhen me dy të tretat e votave në Kuvend ose me 80 vota të deputetëve nga 120, sa numëron institucioni ligjvënës.
Shumica parlamentare përbëhet nga 63 deputetë dhe pa mbështetjen e opozitës nuk do të mund të miratohen ndryshimet, që janë të domosdoshme pasi parashihen në kornizën e negociatave ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe BE-së.
Por, bisedimet reale ose për kapitujt nuk do të mund të nisin pa plotësimin e kushtit kryesor që ka të bëjë me ndryshimin e Kushtetutës dhe këtë Maqedonia e Veriut ka afat të bëjë deri në përfundimin e procesit të skriningut, ose të verifikimit të legjislacionit vendor me atë të BE-së, në nëntorin e vitit të ardhshëm.