Kushtetuesja shtyn seancën mbi marrëveshjen Shqipëri-Itali për emigracionin      / Foto: AA

Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë ka shtyrë për më 24 janar seancën mbi vendimin për çështjen e protokollit Shqipëri-Itali për forcimin e bashkëpunimit në fushën e migracionit.

Në një njoftim për mediat të publikuar në uebfaqen e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë thuhet se sot Gjykata Kushtetuese mori në shqyrtim në seancë kërkesën e paraqitur nga 30 deputetë të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, me objekt: “Deklarimi i papajtueshëm me Kushtetutën të Protokollit ndërmjet Qeverisë së Republikës Italiane dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë ‘Për Forcimin e Bashkëpunimit në Fushën e Migracionit’ dhe ndalimi i ratifikimit të tij nga Kuvendi".

"Gjatë shqyrtimit të çështjes, Gjykata konstatoi se subjekti i interesuar Këshilli i Ministrave ka prapësuar se Protokolli i Bashkëpunimit është lidhur bazuar në Traktatin e Miqësisë dhe Bashkëpunimit ndërmjet Republikës Italiane dhe Republikës së Shqipërisë i vitit 1995. Në këto rrethana, Gjykata vlerësoi se shqyrtimi i këtij traktati është i nevojshëm për hetimin e plotë të çështjes, ndaj vendosi t’i kërkojë Këshillit të Ministrave paraqitjen e kësaj prove dhe për këtë shkak, seanca plenare e radhës do të zhvillohet në datën 24.01.2024", thuhet në njoftim.

Gjithashtu, theksohet se sa i takon kërkesës së grupit të deputetëve për marrjen e opinionit këshillimor nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Gjykata vendosi të rezervohet për t’u shprehur në përfundim të shqyrtimit gjyqësor.

Nga ana tjetër, disa aktivistë të shoqërisë civile kanë protestuar sot para selisë së Gjykatës Kushtetuese kundër marrëveshjes, gjatë kohës së mbajtjes së seancës.

Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë të publikuar më 13 dhjetor, është pezulluar procesi i ratifikimit në Kuvend të "Protokollit ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës Italiane, për forcimin e bashkëpunimit në fushën e migracionit".

Sipas deputetëve të opozitës nga Partia Demokratike e Shqipërisë dhe deputetët të tjerë opozitarë jashtë grupeve parlamentare, të cilët paraqitën më 6 dhjetor 2023 në Gjykatën Kushtetuese, kërkesë për kontrollin e kushtetutshmërisë së protokollit, në lidhje me protokollin në fjalë "ka munguar në mënyrë të plotë transparenca".

Protokolli Shqipëri-Itali për çështjen e emigracionit

Më 6 nëntor 2023, mes Shqipërisë dhe Italisë është nënshkruar protokolli i bashkëpunimit për fuqizimin e bashkëpunimit për çështjen e emigracionit, marrëveshje e cila ka shkaktuar reagime në Shqipëri dhe Itali. Protokolli, që parashikon ngritjen në Shqipëri të qendrave të pritjes së emigrantëve të paligjshëm, u nënshkrua nga kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni.

Sipas Qeverisë së Shqipërisë, ky protokoll ka për qëllim forcimin e bashkëpunimit dypalësh ndërmjet palëve për menaxhimin e flukseve migratore nga vendet e treta, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe atë evropiane.

Ndërkohë, sipas protokollit, autoritetet kompetente shqiptare lejojnë hyrjen dhe qëndrimin në territorin shqiptar të emigrantëve të strehuar në strukturat që do ndërtohen, me qëllimin e vetëm të kryerjes së procedurave kufitare ose të riatdhesimit.

TRT Balkan / agjencitë