Kuvendi miratoi sot me 96 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim projektdeklaratën “Për forcimin e bashkëpunimit me Republikën e Greqisë dhe heqjen e ligjit të luftës”. Në këtë projektdeklaratë i kërkohet Këshillit të Ministrave të bëjë çdo përpjekje me qeverinë e Greqisë për shfuqizimin e Ligjit të Luftës nga Greqia dhe pasojat juridike që burojnë nga ky ligj. Pr/deklarata i kërkon Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme që, në vijim të kontributeve të konfirmuara të politikës sonë të jashtme për fqinjësi të mirë, për paqe dhe për siguri, të mbajë të informuar rregullisht Kuvendin e Shqipërisë dhe partnerët tanë euroatlantikë NATO dhe BE për përpjekjet sistematike të qeverisë së Republikës së Shqipërisë, në bashkëpunim me qeverinë e Republikës së Greqisë, për zgjidhjen e kësaj çështjeje të bartur nga e kaluara.
Në pr/deklaratë thuhet se Kuvendi i Shqipërisë, duke vlerësuar rëndësinë e madhe dhe nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve dypalëshe strategjike me Greqinë, si dhe vullnetin e dyanshëm për t’i përmirësuar e thelluar, vëren se, ndryshe nga fryma e “Traktatit të Miqësisë, Bashkëpunimit, Fqinjësisë së Mirë dhe Sigurisë ”, si dhe nga vullneti politik i dyanshëm i shprehur në mënyrë të përsëritur, Ligji i Luftës Nr.2636/40, mbetet ende në fuqi dhe vijon të prodhojë disa nga efektet negative që lindin kur shtetet janë në gjendje lufte.
Projekdeklarata detyron Kuvendin të ftojë Parlamentin e Republikës së Greqisë të mbështesë përpjekjet e qeverisë së tyre për jetësimin e vullnetit politik të shprehur më shumë se një herë nga ministrat e Jashtëm të Republikës së Greqisë për abrogimin e Ligjit të Luftës me Shqipërinë, dhe në këtë frymë pozitive të marrin në konsideratë e të miratojnë çdo instrument ligjor që do t’i shërbente korrigjimit të kësaj situate që nuk përputhet me realitetet e marrëdhënieve dypalëshe Shqipëri-Greqi.
Gjithashtu, projektdeklarata kërkon që Kuvendi i Republikës së Shqipërisë të kërkojë nga Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë të bëjë çdo përpjekje me qeverinë e Greqisë për abrogimin e ligjit të luftës dhe pasojat juridike që burojnë nga ky ligj.