Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi Mirosllav Lajçak dhe Zëvendësndihmëssekretari i ShBA-së dhe i dërguari për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar kanë shpresuar për më shumë rezultatet gjatë vizitave të fundit në Kosovë dhe Serbi. Por, siç shprehet Lajçak në Facebook, fatkeqësisht, pavarësisht disa sinjaleve pozitive, tensionet janë ende të larta.
“Udhëtuam në rajon me qëllim që të adresojmë situatën e tensionuar në veri të Kosovës të cilën e kemi parë të gjithë gjatë javës së fundit dhe të eksplorojmë potencialin për një zgjidhje politike”, shprehet Lajçak në përshkrimin e situatës së fundit në Kosovë. Diskutimet me lidershipin e Kosovës, emisari i BE-së, Lajçak i përshkruan si të gjata.
“Ne përcollëm shqetësimet tona për situatën në veri dhe theksuam nevojën për deeskalim të menjëhershëm. Ne ripërsëritëm atë që BE-ja dhe ShBA-ja kanë kërkuar nga palët të bëjnë kur bëjnë thirrje për një zgjidhje politike: deeskalim të menjëhershëm, zgjedhje të parakohshme me pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës dhe kthim në dialog për normalizim”, thotë Lajçak.
Në takimin me liderët e opozitës shqiptare në Kosovë, Lajçak tregon se u atyre u janë shpjeguar pasojat e krizës aktuale dhe dëmin që ajo shkakton në reputacionin ndërkombëtar të Kosovës.
“Ne u kërkuam atyre mbështetjen e tyre për një zgjidhje politike për të zbutur tensionet”, shkruan Lajçak.
Ai, sqaron edhe takimin me Listën Serbe dhe shoqërine civile, u është shpjeguar pse është e rëndësishme që serbët e Kosovës të marrin pjesë në zgjedhjet e reja. Ngjashëm si në Prishtinë, emisarët Lajçak dhe Escobar diskutime të gjatë kishin pasur edhe në Beograd, me presidentin Vuçiq.
“Ne i shpjeguam atij se si duhet të kontribuojë për të dalë nga kriza aktuale dhe trajtuam situatën komplekse të serbëve në Kosovë. Në mënyrë të veçantë theksuam se ndërsa të gjithë qytetarët kanë të drejtë të protestojnë në mënyrë paqësore, dhuna nuk është kurrë e pranueshme dhe nuk mund të ketë asnjë mosndëshkim”, thotë Lajçak.
Ndryshe, duke theksuar se në Bruksel do t’i informojnë BE-në dhe shtetet anëtare mbi gjetjet e tij dhe hapat e ardhshëm, ai shkruan se vazhdojnë përpjekjet e tyre për të mundësuar dhe për të mbështetur një zgjidhje të qëndrueshme politike.