I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak ka deklaruar se në takimin e sotëm me kryeministrin Albin Kurti ka diskutuar për hapat e mëtejmë pas takimit në Bruksel.
Ai para gazetarëve tha se gjatë ditës do të ketë vizitë edhe në veri të Kosovës për të kuptuar situatën atje.
"Kam ardhur në Prishtinë sot për të diskutuar me kryeministrin Kurti dhe zëvendëskryeministrin Bislimi për rrugën përpara në procesin e normalizimit, pas takimit të 2 majit. Është vërtetë e rëndësishme që të kemi një kuptim të qartë për hapat e ardhshëm. Të njëjtin diskutim do ta bëj nesër në Beograd. Unë do të takoj kryenegociatorët, zotëri Bislimin dhe Petkoviqin të hënën në Bruksel", ka thënë Lajçak.
Ai është shprehur se duhet fokusuar te normalizimi.
"Ne mund të kemi vetëm normalizim ose konfrontim. Dhe ne duhet patjetër të fokusohemi plotësisht te normalizimi", ka shtuar Lajçak.
Më 2 maj në Bruksel palët ranë dakord për Deklaratën për të Zhdukurit ku të dy vendet do të shtonin përpjekjet për zbardhjen e fatit të 1.643 personave të pagjetur nga lufta e fundit.
Ndërsa, në këtë takim është prezantuar edhe draft-statuti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe nga ekipi menaxhues, tashmë i shkarkuar, në përbërje të serbëve të zgjedhur nga kreu i Listës Serbe Goran Rakiq në kohën sa ishte zëvendëskryeministër në Qeverinë Hoti.