Lançohet në Shkup platforma "QUAD-i i Ballkanit Perëndimor".     /Foto: AA

Zyrtarë të lartë nga Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi kanë lançuar në Shkup platformën e re "QUAD-i i Ballkanit Perëndimor - harmonizimi 100 për qind me politikën e jashtme të Bashkimit Evropian (BE)".

Platforma u lançua nga ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut Bujar Osmani, së bashku me ministren për Evropë dhe Punë të Jashtme të Shqipërisë Olta Xhaçka, zv.ministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës Kreshnik Ahmeti dhe këshilltarin për politikë të jashtme të kryeministrit të Malit të Zi Gjorgje Radulloviq.

Siç njofton Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë së Veriut, fokusi i takimit të zyrtarëve ishte harmonizimi i plotë me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë së BE-së i të katër vendeve të grupit QUAD në dritën e realitetit të ri gjeopolitik, kërcënimeve hibride, krizës energjetike dhe pasojave ekonomike të shkaktuara nga pushtimi rus i Ukrainës.

"Pas agresionit të Federatës Ruse ndaj Ukrainës, harmonizimi me 'politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë, por edhe më gjerë me pozitat dhe vlerat e botës demokratike, u kthye në një nga prioritetet më të rëndësishme të vendeve që aspirojnë anëtarësimin në BE, por edhe si mesazh i qartë se ku përkasin këto vende", theksoi Osmani në takim.

Duke shprehur kënaqësinë për themelimin e forumit joformal, të quajtur QUAD, Osmani tha se secili prej këtyre vendeve individualisht ka dëshmuar se është një partner i besueshëm i NATO-s dhe i BE-së duke u "harmonizuar me regjimin e sanksioneve të BE-së dhe ShBA-së, por edhe nëpërmjet ndihmës konkrete humanitare dhe asistencës tjetër teknike për Ukrainën".

Më tej, në njoftim thuhet se Osmani i njoftoi bashkëbiseduesit për reformat që vijojnë, duke theksuar se nuk ka kthim mbrapa nga rruga evropiane për Maqedoninë e Veriut, një vend i njohur për "demokracinë dhe kohezionin e saj multietnik", gjë që, siç tha ai, dëshmohet me vendimin për të qenë nikoqir i bisedimeve të zhvilluara së fundmi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Ohër.

Në takimin në Shkup po ashtu u theksua se synim i përbashkët strategjik i të gjitha vendeve që e kanë arritur harmonizimin e plotë me vendimet e BE-së është integrimi i plotë në bllokun evropian.

"Në këtë kontekst dhe lidhur me zhvillimet aktuale rajonale dhe ndërkombëtare, procesi i zbatimit të politikave, rregulloreve dhe standardeve të BE-së paraqet interesin më të lartë shtetëror", thuhet në njoftimin e ministrisë.

TRT Balkan / agjencitë