Krerët e Maqedonisë së Veriut e pritën në takim Sekretaren franceze të Shtetit për Çështjet Evropiane, Laurence Boone.
Në konferencën e përbashkët për shtyp pas takimit, kryeministri Dimitar Kovaçevski theksoi se kryesimi francez i Bashkimit Evropian (BE) është vendimtar për rrugën evropiane të Maqedonisë së Veriut.
Duke theksuar se tashmë ka filluar procesi i skriningut, ai u shpreh i kënaqur që në takim tashmë është biseduar për negociatat që kanë filluar dhe jo se e gjithë kjo duhet të ndodhë në të ardhmen.
Kovaçevski tha se ka filluar një kapitull i ri në rrugën evropiane, duke shtuar se janë të përkushtuar që procesi i skriningut të përfundojë brenda afatit të caktuar.
Sekretarja shtetërore franceze për Evropë, Laurence Bun, në fjalimin e saj tha se vizita në Shkup është rast për të shkëmbyer mendime me partitë politike në Kuvend.
Ajo dërgoi një mesazh miqësie, duke shtuar se qëllimi i vizitës së saj është të tregojë qëndrueshmërinë e kësaj miqësie dhe përkushtimin e Francës ndaj Maqedonisë së Veriut.
Laurence Boon theksoi se vendi e meriton vendin e tij në BE.
Në përgjigje të pyetjes së një gazetareje për qëllimin e vendosur nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në BE deri në vitin 2030, ajo tha se “është një qëllim ambicioz, por jo jorealist”.
Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, gjithashtu priti në takim Sekretaren franceze të Shtetit për Çështjet Evropiane, Laurence Boone. Sipas njoftimit të kabinetit presidencial, në takim u theksua miqësia dhe përparimi i marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve dhe përpjekjet franceze për hapjen e negociatave për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian.
"Presidenti Pendarovski, duke shprehur gatishmërinë e tij për vazhdimin e mëtutjeshëm të dialogut intensiv politik në nivel të lartë, falënderoi Francën për mbështetjen e dhënë në drejtim të integrimeve tona evropiane, si dhe fokusin në bashkëpunimin dypalësh, ndërsa përshëndeti nënshkrimin e fundit të marrëveshjes për forcimin e bashkëpunim në mbrojtje", thuhet në njoftim.
Bashkëbiseduesit diskutuan për negociatat për anëtarësim në BE, për procesin aktual të skriningut, si dhe për fazat e ardhshme që duhet të përfundojnë në kuadër të procesit për negociatat për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut me BE-në.