Liderët evropianë: BE-ja ka nevojë për Ballkanin Perëndimor. / Photo: AP

Në Samitin e Procesit të Berlinit i cili po mbahet në Tiranë ka bërë bashkë liderët e ndryshëm të vendeve evropiane.

Në hapje të Samitit në fjalë Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von Der Leyen, bëri apel për bashkëpunim të plotë mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe BE, me qëllim që ky rajon të kthehet sa më shpejt në zemër të Bashkimit Evropian.

Von Der Leyen nënvizoi se Bashkimi Evropian ka nevojë për miqtë e saj në Ballkanin Perëndimor.

“Vetëm duke punuar së bashku do të bëjmë të mundur që Ballkani Perëndimor të vijë aty ku meriton, në zemër të Bashkimit Evropian. Këto janë momente kyç, momente të rëndësishme vendimmarrëse, mos i lini mundësitë t’ju shpëtojnë, kapeni momentin”, bëri apel Von Der Leyen.

Charles Michel: BE-ja të përgatitet për t’i mirëpritur anëtarët e rinj në vitin 2030

Presidenti i Këshillit të Europës, Charles Michel, ka ritheksuar angazhimin e Bashkimit Europian për t’u zgjeruar dhe për të pritur anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Gjatë fjalës së mbajtur në Samitin e Procesit të Berlinit në Tiranë, Michel tha se duhet nxituar bashkëpunimin midis Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Europian duke pasur integrimin në BE si dritën integruese.

“Partnerët dhe miqtë tanë në rajon, ju e dini që duhet të realizoni angazhimet tuaja, duke e nisur me reformat e nevojshme, e ne në BE duhet të përgatitemi për të mirëpritur anëtarët e rinj deri në 2030 për t’u zgjeruar dhe e di që ky afat është hasur me disa skepticizma në rajonin tuaj, sepse keni pritur për një kohë të gjatë dhe e di Edi që e keni krahasuar zgjerimin me një nuse, dhëndrri i së cilës nuk vjen asnjëherë në dasëm. Megjithatë, ne po e përgatisim këtë dasëm”, tha ai.

Scholz: Përshkallëzimet në Veri të Kosovës vërtetuan rëndësinë e bashkëpunimit të Ballkanit me BE-në

Kancelari i Republikës Federale të Gjermanisë, Olaf Scholz, deklaroi sot se përshkallëzimet e kohëve të fundit në veri të Kosovës kanë vërtetuar sa i rëndësishëm është bashkëpunimi mes Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian.

Në fjalën e tij në Samitin e Berlinit, që po mbahet në Tiranë, Scholz theksoi se “ne duhet të përfundojmë më në fund zbatimin e marrëveshjeve që janë arritur me anë të dialogut të normalizimit të udhëhequr nga BE-ja”.

Sanchez: Zgjerimi në krye të agjendës së BE-së

Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, në fjalën e mbajtur në Samitin e Procesit të Berlinit në Tiranë nënvizoi se “Këshilli Evropian ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm që ju të bëheni pjesë e BE-së dhe ky rol është akoma më i rëndësishëm sa i takon zgjerimit dhe është përparësi e lartë për BE”.

Sanchez shtoi se kryefjalë e agjendës së BE është zgjerimi, hap ky që u ndikua dhe mori kthesë edhe nga lufta në Ukrainë ose dhe sulmi në Gaza.

“Takimi ynë ndodh në një moment kyç së pari sepse sfidat e kontinentit tonë kanë bërë që zgjerimi në BE të jetë në krye të agjendës së saj dhe pushtimi i Ukrainës nga Rusia ishte një kthese, por jo e vetme, pandemia COVID-19, shndërrimi digjital të gjitha këto çështje me të cilat ne duhet të përballemi na kanë treguar se të ardhmen duhet ta ndërtojmë së bashku.

TRT Balkan