Lirohen nga paraburgimi të arrestuarit për incidentin në uzinën e Gramshit.     /Foto: Policia e Shtetit/Facebook

Gjykata në Shqipëri ka vendosur të lirojë nga paraburgimi dy shtetasit rusë dhe një shtetas ukrainas të arrestuar për incidentin në një uzinë ushtarake në Shqipëri vitin e kaluar.

Gjykata e Shkallës sё Parё e Juridiksionit tё Përgjithshëm Elbasan në një njoftim ka konfirmuar se në seancën e sotme ka vendosur konstatimin e humbjes së fuqisë së paraburgimit për personat nën hetim Mikhail Zorin, Fedir Alpatov dhe Svetlana Timofeeva.

Sipas gjykatës, shtetasja ruse Svetlana Timofeeva dhe shtetasi ukrainas Fedir Alpatov janë liruar nga paraburgimi, ndërkohë hetimet do të vazhdojnë në gjendje të lirë.

Për shtetasin tjetër rus Mikhail Zorin është vendosur masa “Arrest në shtëpi”.

Kujtojmë se autoritetet ruse kërkuan zyrtarisht disa muaj më parë ekstradimin nga Shqipëria në Rusi të shtetases ruse, Timofeeva, pasi ajo është person i shpallur në kërkim në Rusi për veprën penale “Marrje e paligjshme e informacionit që përbën sekret shtetëror”, kërkesë e cila u rrëzua nga autoritetet shqiptare.

Incidenti në uzinën ushtarake në Gramsh

Më 20 gusht të vitit 2022, ndodhi një incident në një uzinë ushtarake në Gramsh të Shqipërisë, ku sipas autoriteteve shqiptare dy shtetas rusë dhe një shtetas ukrainas tentuan të hyjnë në uzinë, duke përdoruar edhe sprej neoparalizues, ku si pasojë u lënduan dy ushtarakë shqiptarë.

Për ngjarjen në Gramsh, shtetasit e huaj u arrestuan për veprat penale "Goditja për shkak të detyrës", "Dhënia e informatave sekrete" dhe "Sigurimi i informatave", kryer në bashkëpunim.

Në lidhje me incidentin në Gramsh, autoritetet shqiptare kanë deklaruar se do të ketë një hetim të plotë.

Në shtator të vitit të kaluar, Gjykata e Apelit Durrës la në fuqi masën e sigurisë "arrest me burg" të Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për dy shtetasit rusë dhe shtetasin ukrainas, të arrestuar për incidentin në uzinën ushtarake.


TRT Balkan / agjencitë