Shkupi është nikoqir i Këshillit të 30-të Ministror të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë - OSBE, ku po marrin pjesë rreth 1.000 delegatë nga 57 vende anëtare të Organizatës dhe vende partnere.
Në këtë ngjarje po merr pjesë edhe ministri rus i Punëve të Jashtme, Sergej Llavrov, ardhja e të cilit ishte e pasigurt për shkak të sanksioneve ndërkombëtare kundër Rusisë pas pushtimit të saj në Ukrainë.
Aeroplani me të cilin ministri rus i Punëve të Jashtme, Sergej Llavrov, mbërriti mbrëmë në Shkup për Këshillin ministror të OSBE-së ka fluturuar mbi hapësirën ajrore të Türkiyes dhe Greqisë, e jo edhe të Bullgarisë, raportojnë mediat ruse. Ndryshimi i linjës së fluturimit erdhi për shkak të refuzimit të autoriteteve bullgare për të lejuar fluturimin e aeroplanit me zëdhënësen e MPJ-së ruse, Maria Zakharova.
Zakharova njoftoi në Telegram se vendimi "...nuk ka të bëjë vetëm me marrëzi, por me marrëzinë e rrezikshme të ndonjë shakaxhiu në strukturat e pushtetit në Bullgari".
“Fakti është se rregullat e trafikut ajror rregullohen nga Konventa e Çikagos për Aviacionin Civil Ndërkombëtar të vitit 1944. Ai përcakton se territori i një shteti duhet të kuptohet si "territore tokësore dhe ujëra territoriale ngjitur". Hapësira ajrore nuk përfshihet në termin "territor". Në këtë kuptim, efekti i sanksioneve të paligjshme të Bashkimit Evropian nuk mund të shtrihet në fluturimin e pandërprerë të një avioni të një personi të cilit i ndalohet hyrja në territorin e shtetit”, shkruan Zakharova në Telegram.
Profili zyrtar në Twitter i MPJ-së ruse ka publikuar fotografi nga mbërritja e Llavrovit në aeroportin ndërkombëtar të Shkupit, ku shihet se ai është pritur nga ambasadori rus në vend, Sergej Bazdnikin.
Llavrov mbërriti pas përfundimit të darkës joformale të ministrave pjesëmarrës në takimin e OSBE-së.
Për shkak të ardhjes së Llavrovit, pjesëmarrjen në takimin e OSBE-së në Shkup e anuluan ministri i Punëve të Jashtme të Ukrainës Dmytro Kuleba, shefat e diplomacisë së vendeve baltike - Estonia, Letonia dhe Lituania dhe Polonia.