Lufta në Ukrainë temë qendrore në sesionin e “Prespa Forum Dialogue”     Foto: AA

Lufta në Ukrainë dhe skenarët e mëpasme do të jetë njëra prej temave qendrore të edicionit të dytë të “Prespa Forum Dialogue” (PFD). Në këtë forum pritet të marrin pjesë personalitete të rëndësishme nga politika dhe diplomacia e rajonit, dhe më gjerë.

Konferenca është titulluar “Ndërtimi i të ardhmes së Ballkanit Perëndimor në arkitekturën bashkëkohore të sigurisë”. Theksi i këtij edicioni sipas ministrit të Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, do të vendoset te ndërtimi i mjedisit rezistues të sigurisë, përforcimit të partneriteteve strategjike, si dhe në perspektivën Evropiane dhe Euroatlantike të rajonit, gjegjësisht bashkëpunimit të ndërsjellët, ndryshimet klimatike dhe ndikimet.

Nikoqir i edicionit të sivjetshëm të PFD-së, është presidenti Stevo Pendarovski, i cili do ta drejtoj dhe hapë Forumin. Temë e edicionit qendror do të jetë “Çka pas luftës në Ukrainë?”.

Kush do të merr pjesë në Forum?

Krahas presidentit Pendarovski, në hapjen e PFD do të drejtohen edhe shumë president nga rajoni. Deri tani pjesëmarrjen e tyre e kanë konfirmuar presidenti i Këshillit Evropian, Sharl Mishell, presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, presidenti i Malit të Zi, Millo Gjykanoviq. Ndërkohë, pritet që pjesëmarrjen ta konfirmojnë edhe president tjerë nga rajoni.

Në konferencë, po ashtu, do të marrin pjesë edhe ministrat e Punëve të Jashtme të Tyrkijes, Mevlut Çavushogllu, i Polonisë, Zbigniev Pay, i Kroacisë, Gordan Grliq Radman, i Sllovenisë, Ivan Korçok, i Bosnje dhe Hercegovinës, Bisera Turkoviq, i Vatikanit, Poll Riçard Gallager dhe të tjerë.

Ministri Osmani, theksoi se nga aspekti rajonal posaçërisht është me rëndësi se në Forum do të marrin pjesë edhe përfaqësuesit special për Ballkanin Perëndimor – nga SHBA-të, Gabriel Eskobar, nga BE-ja, Mirosllav Lajçak, nga Mbretëria e Bashkuar, Stjuard Piç, dhe nga Gjermania, Manuel Saraci.

“Për ne posaçërisht me rëndësi është se të katërtit në kuadër të PFD do të marrin pjesë në mbledhjen B6 të ministrave për Punë të Jashtme të Ballkanit Perëndimor. Të përkujtoj se B6 është iniciativë e jona autentike për komunikim joformal mes ministrave për Punë të Jashtme nga rajoni të cilin e lancova vitin e kaluar, pikërisht në ‘Prespa Forum Dialogue’”, tha Osmani.

Brend i ri i Maqedonisë së Veriut

Prespa Forum Dialogue, është plaftormë e krijuar nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, me qëllim t’ju mundësoj shteteve, liderëve, organizatave dhe qytetarëve të ndërtojnë raporte afatgjate dhe t’i përforcojnë partneritetet.

Qëllimi i PFD-së, është të inspiroj dhe promovoj raporte të mira ndërfqinjësore dhe bashkëpunim.

Plaftorma është e paramenduar si vend për shkëmbim të qëndrimeve dhe ideve për zgjidhjet e mundshme të çështjeve bilaterale.

Edicioni i parë i PFD-së, u mbajtë vitin e kaluar në Ohër, me 1 dhe 2 korrik. Ministri Osmani, atë kohë duke i shpërndarë konkluzat dhe qëllimet e arritura, tha se PFD është brendi i ri i Maqedonisë së Veriut.

“Maqedonia e Veriut fiton vend të ri në kartën e bashkësisë ndërkombëtare si partner serioz dhe pikë nga ku burojnë iniciativa pozitive; një pjesë e botës ku çdonjëri duhet të ndihet i mirëseardhur, dhe të jetë pjesë e tregimit të cilin ne e ofruam dhe bashkarisht e shpërndajmë”, tha Osmani.

TRT Balkan