Proceset e lustrimit në Evropën Qendrore dhe Lindore filluan pas rënies së murit të Berlinit.     Foto: Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit/Facebook 

Shqipëria miratoi të premten ndryshime ligjore që mundësojnë hapjen e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit në kohën e komunizmit. Në fakt, ligji për hapjen e dosjeve ekzistonte kohë më parë. Politikanë të ndryshëm në Shqipëri kishin marrë certifikatë “pastërtie”, që dëshmonte se nuk kanë pasur lidhje me ish-Sigurimin e Shtetit, në komisionet e formuara për këtë çështje. Por, opinioni publik dyshon në vërtetësinë e këtyre certifikatave, të lëshuara në kohë rrëmuje politike në Shqipërinë post-komuniste. Ndërsa një nen i ligjit të mëparshëm ndalonte rishikimin e dosjeve për personat që tashmë posedonin certifikatë.
“Rasti I.M.”
Një rast i veçantë ngjalli debat të madh në Tiranë dhe u bë shkak për inicimin e ndryshimeve ligjore. Autoriteti për Dosjet njoftoi Kuvendin se një politikan me inicialet I.M., i cili ishte pajisur me certifikatë “pastërtie”, megjithatë ka qenë bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit. Informacioni u shoqërua me disa ndryshime ligjore të propozuara, e që gjetën përkrahjen e deputetëve socialistë dhe të grupimit të deputetëve të udhëhequr nga Alibeaj i Partisë Demokratike.
Në Shqipëri vërshuan spekulimet se kush mund të jetë politikani I.M. Nga studiot televizive deri në kafenetë e Tiranës flitej për emra të përveçëm që mund të përmbushnin asociacionin e dhënë nga Autoriteti i Dosjeve.
Kryeministri Edi Rama mbështeti fuqishëm nismën për ndryshime ligjore.
“Ka vetëm një kategori dosjesh që janë të pahapura, dosje të disa figurave të shtetit të pajisur me certifikatë sigurie që rezultojnë në dokumentet e ish-sigurimit. Dëshiron ti ta dish kush është shtetasi I.M, mbase është ai ose mbase nuk është ai. Të çlirohemi të gjithë nëse shtetasi I.M nuk është ai që të gjithë i shkon mendja”, tha Rama.

Lustrimi në Maqedoninë e Veriut, akuza për revanshizëm politik

Maqedonia e Veriut në vitin 2008 miratoi Ligjin për lustrim, ose zyrtarisht Ligji për caktimin e kushtit shtesë për kryerjen e funksionit publik, i cili u ndryshua dhe u plotësua në vitin 2012. Komisioni për Verifikimin e Fakteve, organ përgjegjës për shqyrtimin e dosjeve sipas ligjit, nga viti 2009 deri në vitin 2015 kontrolloi mbi 30 mijë persona për bashkëpunim të mundshëm me shërbimet sekrete në periudhën nga viti 1994 deri në vitin 2006.
Gjithsej 204 persona u shpallën bashkëpunëtorë, ndërsa 80 prej tyre u publikuan me emër dhe mbiemër në Regjistrin e Komisionit për Verifikimin e Fakteve. Për bashkëpunëtorë u shpallën edhe politikanë e gjykatës, si dhe emra të tjerë të njohur në opinion.
Në vend kishte shumë akuza se lustrimi po përdoret për revanshizëm politik ndaj kundërshtarëve të Qeverisë. Edhe Bashkimi Evropian dhe Komisioni i Venecias kritikuan gjithë procesin.
Procesi u ndal në vitin 2015 në kuadër të bisedimeve për zgjidhjen e krizës politike. Në vitin 2019, Qeveria socialdemokrate e Maqedonisë së Veriut anuloi vendimet për lustrim dhe i dëmshpërbleu të lustruarit.

Lustrimi nuk zbatohet askund në Ballkan
Procesi i lustrimit nuk gjeti zbatim dhe në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Në shumicën e vendeve nuk ka një ligj special lustrimi. Por edhe aty ku kishte ligj, si në Serbi, ai pushoi të vlente pa gjetur kurrë zbatim.
Serbia miratoi ligjin për lustrim më 30 maj të vitit 2003, me emërtimin “Ligji për përgjegjësi për cenimin e të drejtave të njeriut”, por nuk e zbatoi asnjëherë. Madje Kosova shpesh ka bërë thirrje që të hapen dosjet për shkeljen e të drejtave të njeriut në Serbi.
Në Bosnjë e Hercegovinë ndodhën proceset e rishikimit të detajuar për grupe të caktuara profesionale (policë, si dhe gjyqtarë dhe prokurorë). Por këto procese u rregulluan me procedura të posaçme të përcaktuara nga ana e institucioneve ndërkombëtare si Misioni i Kombeve të Bashkuara në vend dhe Zyra e Përfaqësuesit të Lartë, e jo me ligj të posaçëm.
Në Mal të Zi dhe Kroaci nuk u miratuan ligje për lustrim, edhe pse kjo temë ishte shpesh në qendër të debatit publik. Së fundmi, kryetari i partisë URA në Mal të Zi, Dritan Abazoviq, gjatë kohës sa ishte zv/kryeministër kërkoi të fillonte një proces të tillë.
Proceset e lustrimit në Evropën Qendrore dhe Lindore filluan pas rënies së murit të Berlinit, në vendet që vinin nga ish-Bashkimi Sovjetik. Në këto vende të Evropës, lustrimi u pa si pjesë e demokratizimit të shoqërisë dhe kalimit nga sistemi komunist në një demokraci të mirëfilltë me sundimin e së drejtës si fundament.

TRT Balkan