Maqedoni e Veriut: ADA, asistenti i parë digjital në sektorin publik.     /Foto: AA

Në ambientet e Fondit të Investimeve dhe Zhvillimit Teknologjik të Maqedonisë së Veriut u promovua ADA, asistenti i parë digjital në sektorin publik i bazuar në inteligjencën artificiale.

Në prezantim morën pjesë zyrtarë të lartë qeveritarë të udhëhequr nga kryeministri Dimitar Kovaçevski, përfaqësues të sektorit të biznesit, organizatave joqeveritare dhe të ftuar të tjerë.

Në fjalën e tij, kryeministri Kovaçevski shprehu kënaqësinë që Maqedonia e Veriut po digjitalizohet dhe po ndjek proceset botërore.

Kryeministri e vlerësoi asistentin digjital në sektorin publik si një "hap revolucionar në shoqërinë tonë", nëpërmjet së cilës kompanitë do të mund të marrin informacion të plotë për kushtet për të investuar në Maqedoninë e Veriut, si dhe ndihmën shtetërore të ofruar gjatë investimit.

"ADA ofron të gjitha informacionet për mbështetjen financiare nga shteti dhe do të përmirësohet me shërbime të tjera me rëndësi për sektorin e biznesit dhe qytetarët. Nëpërmjet kësaj do të ndikojmë në rritjen e transparencës së të gjitha institucioneve, por edhe në uljen e korrupsionit dhe eliminimin e faktorit njerëzor në proceset", tha Kovaçevski.

Mundësi për të rinjtë

Zv.kryeministri për Çështjet Ekonomike, Fatmir Bytyqi, në fjalën e tij tha se ndihet krenar për realizimin e këtij projekti, duke shtuar se ADA është materializimi i ndryshimit që i duhet vendit, kur bëhet fjalë për digjitalizimin, transparencën, efektivitetin dhe efikasitetin në sektorin publik.

Ai shprehu kënaqësinë që ADA është krijuar nga një kompani vendase start-up, duke shtuar se ky është një mesazh që të rinjtë kanë një mundësi të dëshmojnë veten edhe në Maqedoninë e Veriut.

"ADA u krijua nga një kompani vendase start-up, Codewell, me të cilën vërtet patëm nderin të punonim dhe këtë nuk po e them vetëm në formë deklarative. Bashkëpunimi me ta për mua është ndoshta më i rëndësishmi i gjithë procesit tim të krijimit të ADA-s. Është një konfirmim që fëmijët tanë kanë mundësi dhe dije, ndërsa shpresoj që për ta të jetë një mesazh që ne jemi këtu dhe që ata të kenë mundësi të dëshmojnë veten në vendlindjen e tyre", tha Bytyqi.

Në prezantim, fjalim kishin edhe ministri i Shoqërisë Informatike dhe i Administratës Azir Aliu dhe drejtori i Fondit të Investimeve dhe i Zhvillimit Teknologjik Festim Halili, të cilët përshëndetën fillimin e funksionimit të asistentit të parë digjital në sektorin publik, të bazuar në inteligjencën artificiale.

TRT Balkan / agjencitë