Maqedoni e Veriut, gruaja 61-vjeçare solli në jetë fëmijën e saj të parë / Photo: AA

Nëna më e moshuar në historinë e Maqedonisë së Veriut ka sjellë në jetë foshnjën e saj të parë, që është një moment historik për mjekësinë e vendit.

Drejtoresha e Klinikës Universitare për Gjinekologji dhe Obstetrikë në Shkup, Irena Aleksiovska-Papestiev, me këtë rast ka mbajtur një konferencë të jashtëzakonshme për media ku ka bërë të ditur se bëhet fjalë për një grua 61-vjeçare.

"Që në botën e mjekësisë nuk ka më kufij dhe se mjekësia në Maqedoninë e Veriut mund të krahasohet me mjekësinë botërore, dëshmon edhe lindja e foshnjës Petar, të cilin e solli në botë pacientja më e vjetër në vendin tonë", tha Aleksiovska Papastiev.

Drejtoresha sqaroi se kjo paciente është rasti i parë i shtatzënisë me vezën e saj të kriopreservuar, pra të ngrirë, që ka marrë trajtim in vitro në Maqedoninë e Veriut.

Ajo shtoi se e gjithë shtatzënia e saj është monitoruar në Maqedoninë e Veriut dhe lindja ka përfunduar në Klinikën Universitare për Gjinekologji dhe Obstetrikë.

"Pacientes i kemi bërë prerje cezariane pas javës së 36-të të shtatzënisë dhe ajo ka sjellë në jetë foshnjën Petar, i cili peshonte 2 kilogramë e 350 gramë dhe ishte i gjatë 48 centimetra. Operacioni shkoi pa probleme. Gjatë të kaluarës së saj obstetrike, kjo 'nënë heroike', që ne e quajtëm kështu, ka një të kaluar të pasur gjinekologjike dhe obstetrike", tha drejtoresha Aleksiovska Papestiev.

Ajo shtoi se pacientja ka pasur tri ndërhyrje të mëparshme, dy prej të cilave janë bërë në Beograd dhe një në Klinikën Universitare për Gjinekologji dhe Obstetrikë në Shkup.


TRT Balkan / agjencitë