Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski dhe kryeparlamentari Talat Xhaferi kanë dhënë dorëheqje nga pozitat e tyre në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 8 maj të këtij viti.
“Sot, siç thashë, do të bëj atë që e kërkon ligji, dorëheqja ime është firmosur dhe tani do ta dorëzoj në arkiv. Do të takohem me kryetarin e Kuvendit, do t’i uroj një procedurë të suksesshme deri të dielën dhe pastaj zgjedhje të suksesshme për kryeministër teknik të Qeverisë”, tha Kovaçevski.
Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut Talat Xhaferi përmes një postimi në Facebook njoftoj se këtë pasdite ka parashtruar dorëheqjen nga pozita e Kryetarit të Kuvendit.
"Me ndjenjë krenarie dhe të përmbushjes, sepse në të dyja mandatet isha Kryetari i të gjithë deputetëve dhe qytetarëve; punoja me përgjegjësi, me profesionalizëm, në mënyrë të pavarur dhe me llogaridhënie. Ashtu edhe do të vazhdoj në sfidën e radhës", shkroi Xhaferi në një postim në Facebook.
Sipas marrëveshjes mes partnerëve qeveritarë LSDM dhe BDI, 100 ditët e fundit kryeministri duhet të jetë nga radhët e BDI-së. Kjo parti vendosi që mandatar i qeverisë teknike të propozohet pikërisht kryetari aktual i Kuvendit, Talat Xhaferi, i cili për këtë arsye jep dorëheqje nga pozita aktuale.
Këto zhvillime burojnë nga “Marrëveshja e Përzhinos”, e arritur në qershor të vitit 2015 për zgjidhjen e krizës së atëhershme politike në vend. Sipas marrëveshjes, Qeveria e rregullt jep dorëheqje dhe 100 ditë para ditës së zgjedhjeve zgjidhet Qeveria teknike.