Në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut u zhvillua pranim-dorëzimi i detyrës midis kryeministrit të deritanishëm Dimitar Kovaçevski dhe kryeministrit të zgjedhur Talat Xhaferi.
Kovaçevski dhe Xhaferi zhvilluan takim dypalësh dhe më pas mbajtën edhe një konferencë të përbashkët për media.
Kryeministri i deritanishëm Kovaçevski u shpreh se transferimi i detyrës u krye në përputhje me detyrimet ligjore për formimin e qeverisë teknike, detyra kryesore e së cilës është organizimi dhe zhvillimi i zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare.
"I uroj z.Talat Xhaferi punë të suksesshme si kryetar i qeverisë kalimtare si dhe të gjithë ministrave dhe zv/ministrave. Besoj se qeveria do të qëndrojë e vendosur ndaj prioriteteve civile dhe shtetërore, në përputhje me kompetencat ligjore", tha Kovaçevski.
Ai theksoi se dy vitet e fundit "nuk ishin aspak të lehta" në kontekstin e krizës ekonomike dhe energjetike. Kovaçevski falënderoi të gjithë anëtarët e deritanishëm të qeverisë për "punën e kryer me sukses dhe përballimin me sukses të sfidave" dhe njëkohësisht dërgoi mesazhe për unitet.
"Sot jemi me kuptimin e plotë të fjalës në dyert e BE-së dhe realizimi i anëtarësimit të plotë në BE në vitet e ardhshme varet vetëm nga ne në vend. Sipas bindjes sonë, me punën e deritanishme dhe të ardhshme, Maqedonia e Veriut duhet të bëhet anëtare e BE-së në vitin 2030. E gjithë kjo vjen pas arritjes së objektivit strategjik shumëdekadash, anëtarësimit në NATO", tha Kovaçevski.
"Kushtetuta dhe ligji, baza mbi të cilën do e mbështes çdo vendim"
Kryeministri i zgjedhur, Talat Xhaferi, u shpreh se në takim ka pranuar urimet e Kovaçevskit, duke shtuar se janë pajtuar rreth çështjeve primare që do të jenë në fokusin e Qeverisë.
"Shpreha kënaqësinë dhe përgjegjësinë për detyrën që e mora përsipër, duke e përsëritur atë që e thashë edhe dje në ekspozenë time në Kuvend, respektivisht që Kushtetuta dhe ligji do të jenë baza mbi të cilën do ta mbështes çdo vendim dhe veprim që e ndërmarrim si Qeveri", tha Xhaferi.
Ai gjithashtu tha se qeveria teknike do të vazhdojë të zbatojë programin qeveritar 2022-2024, duke theksuar se detyra primare e kësaj qeverie është përgatitja dhe organizimi i zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare.
Sipas Xhaferit, mbajtja dhe avancimi i partneritetit strategjik të Maqedonisë së Veriut me BE-në, NATO-n dhe ShBA-në, mbeten prioritet primar i qeverisë.
"Pa marrë parasysh se sa do të zgjasë kjo qeveri, ju siguroj se në asnjë çast nuk do të mungojë funksionimi i rregullt institucional, bashkëpunimi dhe inkluziviteti në punën e Qeverisë, duke siguruar që çdo segment ose dikaster të jetë transparent, llogaridhënës dhe mbi të gjitha efikas dhe në shërbim të qytetarëve", tha Xhaferi.
Qeveri teknike 100 ditë para zgjedhjeve
Kujtojmë se dje Kuvendi i Maqedonisë së Veriut me 65 vota pro dhe tri kundër, nga gjithsej 120 ulëse, votoi qeverinë teknike me kryeministër Talat Xhaferin.
Xhaferi është kryeministri i parë në Maqedoninë e Veriut nga komuniteti etnik shqiptar.
Siç ishte paralajmëruar, në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet parlamentare të parapara të mbahen më 8 maj të këtij viti, më 25 janar Dimitar Kovaçevski dha dorëheqje nga posti i kryeministrit, e më pas Talat Xhaferi dha dorëheqje nga posti i kryetarit të Kuvendit.
Këto zhvillime burojnë nga "Marrëveshja e Përzhinës", e arritur në qershor 2015, për zgjidhjen e krizës së atëhershme politike në vend. Sipas marrëveshjes, qeveria e rregullt jep dorëheqje dhe 100 ditë para ditës së zgjedhjeve zgjidhet qeveria teknike.
Dispozitat e Marrëveshjes së Përzhinës janë pjesë e Ligjit për Qeverinë, ku ndër të tjera janë paraparë disa pozita ministrore dhe zv/ministrore për opozitën.
Në dhjetor 2023, liderët politikë në Maqedoninë e Veriut ranë dakord për datat e mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare.
Raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale është rënë dakord të mbahet më 24 prill 2024, ndërsa raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale së bashku me zgjedhjet parlamentare është rënë dakord të mbahet më 8 maj 2024.