Në terrenin e ushtrisë së Maqedonisë së Veriut "Krivollak" për herë të parë është kryer një stërvitje duke përdorur një stacion të armatosur të kontrolluar nga distanca.
Sipas njoftimit të ushtrisë, në aktivitet kanë marrë pjesë kryeministri Hristijan Mickoski, ministri i Mbrojtjes, Vllado Misajllovski, shefi i shtabit të përgjithshëm, gjeneralmajor Sashko Llafçiski, ambasadorja amerikane në Shkup, Angela Aggeler, si dhe zyrtarë të tjerë.
Në njoftim thuhet se qëllimi i stërvitjes është demonstrimi i veprimeve dhe procedurave taktike gjatë ekzekutimit të një sulmi, nëpërmjet integrimit të elementeve luftarake dhe mbështetjes luftarake, për të treguar fuqinë luftarake dhe kapacitetet e gatishmërisë së këmbësorisë.
Më tej, në njoftim bëhet e ditur se në stërvitje për herë të parë është përdorur një sistem i ri i instaluar në një automjet të blinduar të lehtë - JLTV.
Gjatë aktivitetit, Mickoski ka theksuar se kanë pasur mundësinë që të shohin një ushtrim praktik dinamik duke përdorur armatim modern dhe duke përdorur pajisje moderne, duke shtuar se si qeveri, mbështetja e tyre për ushtrinë do të vazhdojë.
Në aktivitet fjalim kanë mbajtur gjithashtu edhe ministri Misajllovski, gjeneralmajor Llafçiski dhe ambasadorja Aggeler.