Pronarët e automjeteve në Maqedoninë e Veriut duke filluar nga 12 shkurti i këtij viti duhet ta ndryshojnë shenjën “MK” në targat e tyre me shenjën e re “NMK”. Ngjitëset me shenjën e re "NMK" do të kushtojnë maksimumi 81 centë dhe mund të blihen në stacionet e kontrollit teknik.
Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut, sqaroi se, sipas Marrëveshjes Kornizë, për prokurimin e targave të regjistrimit është lidhur një marrëveshje me operatorin ekonomik të përzgjedhur, për të cilin po kalojnë afatet ligjore për dorëzimin e ngjitëseve.
“Sipas vendimit për ndryshimin dhe plotësimin e vendimit për çmimet e formularëve të nxjerrë nga Ministria e Punëve të Brendshme, të publikuar në Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut numër 2, të datës 03.01.2024, çmimet e ngjitëseve do të variojnë. nga 30 deri në 50 denarë, thotë MPB-ja.
Në vitin 2019, si rezultat i kontestit me Greqinë, u vendos që Maqedonia të ndërrojë emrin në Maqedonia e Veriut. Vendimi zyrtar hyri në fuqi më 12 shkurt të vitit 2019. Bazuar në marrëveshjen e nënshkruar në Prespë, mes palës greke dhe asaj maqedonase brenda pesë viteve nga zyrtarizimi i emri të ri, të gjitha dokumentet duhet të shpërndahen me emrin e ri.