Opozita shqiptare në Maqedoninë e Veriut, e bashkuar në koalicionin “Lidhja Europiane për Ndryshim” promovoi sot Arben Taravarin si kandidatin e saj për president në zgjedhjet presidenciale të 24 prillit. Taravari, kryetar i partisë Aleanca për Shqiptarët dhe kryetar i Komunës së Gostivarit, tha se garon në këto zgjedhje për të fituar.
“Është privilegj të të besojnë kaq shumë faktorë. Ka ardhur koha që shteti të ketë president shqiptar, jo teknik, por të vërtetë”, tha Taravari në konferencën për media gjatë promovimit të kandidaturës.
Kandidatura e tij përkrahet nga krerët e partive opozitare, Lëvizja Besa, Alternativa dhe Lidhja Demokratike.
Për ta zyrtarizuar kandidaturën, kampi opozitar duhet të deponojë 10 mijë nënshkrime në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve.