Maqedonia e Veriut merr presidencën e OSBE-së, frikë nga “skenari malazez"     Foto: MIA

Nëse parlamenti i Maqedonisë së Veriut nuk voton ndryshimet kushtetuese gjatë këtij viti, vendi do të humbë momentin në procesin eurointegrues dhe mund të futet në ndonjë “skenar malazez”, paralajmëron Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani.

Sipas tij, skenare të tilla janë të rrezikshme dhe me pasoja ndaj shtetit.

“Frika ime është se nëse nëntori na gjen pa ndryshime kushtetuese, do të ndërpriten bisedimet. Do ta humbim momentin, ndërsa humbja e momentit është një prej gjërave më të këqija që mund të ndodhë në rrugën evropiane. Kam frikë se do të hyjmë në ndonjë skenar malazez, siç është tani, dhe është shumë e vështirë që të kthehet, me të gjitha implikimet brenda dhe jashtë ndaj imazhit të shtetit”, deklaroi Osmani.

Osmani bëri këto vlerësime gjatë një takimi me gazetarë, ku njoftoi për fillimin e presidencës së Maqedonisë së Veriut me OSBE-në. Ai tha se për vendin është nder i veçantë udhëheqja e OSBE-së, me konsensus të 56 vendeve anëtare.

Një prej sfidave të presidencës së Maqedonisë së Veriut, sipas Osmanit, do të jetë paqja në Evropë, ndërsa akuzoi Rusinë për cenimin e sigurisë në kontinentin evropian.

“Presidenca jonë po ndodh në një prej viteve më të rënda për OSBE-në. Pas 50 vjetësh ndodh që një vend anëtar të rrënojë parimet bazë dhe shtyllat bazë jo vetëm të organizatës, por edhe të gjithë arkitekturës së sigurisë mbi të cilën qëndron paqja në Evropë. Rusia i dëmton ato shtylla dhe parime me agresionin në Ukrainë, duke sjellë pasoja të mëdha ndaj njerëzve në ato rajone”, tha Osmani.

Motoja e presidencës së Maqedonisë së Veriut me OSBE-në është “Bëhet fjalë për njerëzit” (It’s about people).

TRT Balkan / agjencitë