Maqedonia e Veriut prej nesër do të preket nga vala e të nxehtit, temperatura të larta të cilat klasifikohen si “faza portokalli”. Për këtë arsye, Ministria e Punës dhe e Politikës Sociale e Maqedonisë së Veriut publikoi masa në kohëzgjatje prej katër ditësh, duke filluar nga e enjtja.
Nëpërmjet një njoftimi për media, ministria u bëri thirrje punëdhënësve, kujdestarëve dhe edukatorëve në kopshte, si dhe punonjësve të qendrave për çështje sociale dhe Kryqit të Kuq që të respektojnë rekomandimet sipas Planit të Veprimit të Ministrisë së Shëndetësisë për parandalimin e pasojave nga vala e të nxehtit në shëndetin e popullatës.
"I gjithë territori i vendit do të preket nga temperaturat e fazës portokalli dhe për këtë arsye masat po vendosen për katër ditë, duke filluar nga nesër", thuhet në njoftim.
Ndër masat që duhen respektuar janë lirimi nga detyrimet e punës së grupeve më të cenueshme të popullsisë, si gratë shtatzëna dhe personat mbi 60-vjeç, si dhe të mos praktikohet aktiviteti fizik dhe fëmijët të mos nxirren jashtë nga ora 11:00 deri në orën 17:00.
Gjithashtu, u bëhet thirrje Kryqit të Kuq dhe qendrave për çështje sociale të ofrojnë ndihmë për personat e vetmuar, personat e moshuar, personat e dobët dhe për personat e pastrehë.
Në të njëjtën kohë, Ministria e Punës dhe e Politikës Sociale apelon për shtimin e kontrolleve nga Inspektorati Shtetëror i Punës.