Nën organizimin e Odës së Minerave të Kosovës është organizuar në Prishtinë, forumi i parë i minierave në Kosovë.
Forumi i cili u organizua me qëllim që të bëhet katalizator i investitorëve potencialë vendorë apo ndërkombëtarë, mblodhi të pranishëm nga institucionet në Kosovë, kompani anëtare të kësaj ode dhe investitorë.
Drejtori ekzekutiv i kësaj ode, Mentor Demi, tha se së bashku do të shtjellojnë tema të ndryshme që kanë të bëjnë me industrinë minerale.
"Ne si Odë, qëllimin kryesor e kemi promovimin e industrisë minerare, duke bashkuar së pari kompanitë anëtare të odës dhe ndajnë të njëjtin qëllim. Mirëpo, gjithashtu duke pasur disa problematika të vogla në industri, ne kemi filluar edhe organizimin apo krijimin e një rrjetëzimi për profesionistë të fushës dhe brenda Odës së minierave të krijojmë edhe shoqatën e gjeoshkencëtarëve", theksoi Demi.
Zëvendësministri i Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), Mentor Arifaj, tha se Qeveria është e përkushtuar në zhvillimin e industrisë minerare. Ai tha se MINT-i ka aprovuar vitin e kaluar edhe Strategjinë për Industrinë 2030, ku rritja e prodhimit të resurseve natyrale dhe mineraleve është në mesin e objektivave.
"MINT vitin e kaluar ka aprovuar Strategjinë për Industrinë 2030, ku në mesin e objektivave strategjike është rritja e vlerës së shtuar të produkteve dhe resurseve natyrore duke përfshirë edhe përpunimin e metaleve dhe mineraleve", theksoi Arifaj.
Ai shtoi se është e nevojshme që të ketë jo vetëm zhvillim dhe digjitalizim të këtij sektori por edhe zhvillim të industrisë në pjesë relevante që ndërlidhen me këtë sektor.
Kosova ka qenë e njohur për pasuritë e saj të nëntokës me rëndësi të madhe ekonomike, të cilat shtrihen kryesisht në pjesën verilindore të saj.
Kosova ka pasuri minerale të cilat ndahen në dy grupe: në grupin e parë hyjnë qymyri, mineralet e plumbit-zinkut, nikelit-kobaltit, magnezit, kromit e të tjera dhe në grupin e dytë përfshihen mineralet metalore si argjilet, asbesti, leucitet e të tjera.