Në Tiranë po zhvillohen punimet e Samitit të Grave Afgane, takimi më i madh i tri viteve të fundit të grave dhe vajzave aktiviste të të drejtave të njeriut nga Afganistani.
Samiti do të zhvillojë punimet përgjatë tri ditëve (11-13 shtator) nën kujdesinë e qeverisë shqiptare përmes Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe organizohet nga “Gratë për Afganistanin (WFA)”, në bashkëpunim me qeverinë e Spanjës dhe atë të Zvicrës.
Duke përshëndetur punimet e këtij samiti, Hasani tha se ai është i pari i këtij formati dhe që mbahet në Tiranë.
Ministri e cilësoi samitin një ngjarje historike pasi sipas tij, “është hera e parë që shënohet mbledhja e një numri kaq të madh grash aktiviste nga Afganistani”.
“Që prej ardhjes në pushtet të regjimit taleban, 3 vite më parë jemi dëshmitarë se si dekada progresi të arritura me përpjekje e mund për barazinë gjinore po shkatërrohen ditë pas dite”, tha Hasani.
Kryediplomati shqiptar solli në vëmendje se “gjatë 2 viteve të fundit talebanët kanë shpallur 70 dekrete dhe udhëzime që i kthejnë gratë dhe vajzat në objekte diskriminimi sistematik”.
“Nën regjimin taleban Afganistani është kthyer në vendin e vetëm në botë ku u ndalohet vajzave e drejta për të ndjekur arsimin e mesëm dhe të lartë”, shtoi ai.
Sipas tij, “rrezikohet autonomia dhe ekzistenca e grave dhe vajzave afgane në shoqëri”.
Hasani theksoi se nuk mund të ketë shoqëri njerëzore të drjtë që nuk respekton dhe vigjëlon mbi të drejtat e grave.
Rreth 100 gra afgane duke përfshirë rrjetet e grave afgane në vende të ndryshme po marrin pjesë në samitin treditor, si një platformë për të ndërtuar unitet dhe një mesazh koheziv dhe për të përforcuar zërat e tyre.
Po ashtu, ministri deklaroi se “Shqipëria, pjesë e përpjekjeve ndërkombëtare për paqe dhe stabilitet në Afganistan”.
“Garantimi i të drejtave të grave e vajzave, mbetet prioritet i qeverisë shqiptare”, tha Hasani.
Hasani nënvizoi se Shqipëria në Këshillin e Sigurisë, ka në fokus edhe avancimit të agjendës “Gratë, Paqja dhe Siguria”, pasi sipas tij, “përgjegjësia për të ngritur zërin nuk është vetëm e grave afgane, por e të gjithëve ne”.