Pala mbrojtëse e Pjetër Shalës, të akuzuar nga Zyra e Prokurorit Special të Kosovës me seli në Hagë, për krime lufte në Kosovë, në seancën e sotme gjyqësore ka thënë se pretendimet e prokurorisë janë mbështetur në thashetheme.
Avokati Jean-Louis Gilissen, në fjalimin e tij para trupit gjykues, tha se i akuzuari Shala asnjëherë nuk ka sulmuar civilë serbë, duke shtuar se ish-pjesëtari i UÇK-së nuk është kriminel.
“Zotëri Shala luftoi kundër disa autoriteteve dhe duke e bërë këtë gjë zotëri Shala mbase nuk ka bërë asgjë më tepër sesa ka ushtruar një prej të drejtave më të shenjta, që do të thotë të mbrojë veten dhe ai asnjëherë nuk e ka sulmuar asnjë anëtar të popullsisë civile serbe, apo nuk ka sulmuar asnjëherë asnjë person për shkak të faktit që është serb, ai nuk është kriminel”, ka thënë mbrojtja e Shalës.
Në mars të vitit 1999, sipas pales mbrojtjëse, i akuzuari Pjetër Shala nga Belgjika është kthyer në Kosovë, me qëllim që të luftojë për lirinë e vendit.
Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pjetër Shala, po mbahet në qendrën e paraburgimit në Hagë prej marsit të vitit 2021.
Sipas Zyrës së Prokurorit Special të Kosovës, “Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999 kundër personave që janë mbajtur të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.
Pjetër Shala është arrestuar më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe është transferuar në Hagë më 15 prill të atij viti, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Ndryshe, më 3 mars në Hagë fillon procesi gjyqësor ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe ish-anëtarëve të tjerë të UÇK-së, ish-kryeparlamentarëve Jakup Krasniqi e Kadri Veseli, si dhe deputetit të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi.