Përfundon procesi i votimit për shtetasit turq në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut dhe Kosovë lidhur me zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare që do të mbahen në Türkiye më 14 maj.
Procesi i votimit për zgjedhjet në Türkiye filloi në Ambasadën turke në Tiranë dhe atë në Shkup më 5 maj, kurse në Ambasadën në Prishtinë dhe Konsullatën e Përgjithshme në Prizren më 6 maj, ndërsa është mbyllur zyrtarisht dje në orën 21:00 në të gjitha përfaqësitë në këto tri vende.
Po ashtu, procesi i votimit ka përfunduar edhe në përfaqësitë diplomatike të Bosnjë e Hercegovinës, Serbisë dhe Malit të Zi.
Nga ajo që informojnë përfaqësitë diplomatike të këtyre tri vendeve në Shqipëri ishin të regjistruar 1.416 shtetas turq me të drejtë vote, në Maqedoninë e Veriut 4.107, kurse në Kosovë 2.192 qytetarë.
Vlen të theksohet se procesi i votimit ka kaluar në ambient të qetë duke mos u raportuar ndonjë parregullsi.
Më 14 maj qytetarët e Türkiyes do të votojnë në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare dhe do të zgjedhin mes katër kandidatëve presidencialë, 24 partive politike dhe 151 kandidatëve të pavarur për parlament.
Gjithsej të drejtë vote në këto zgjedhje kanë 64,11 milionë njerëz dhe më shumë se 4,9 milionë qytetarë turq do të votojnë për herë të parë.
Presidenti aktual Recep Tayyip Erdoğan, pastaj Muharrem Ince, Kemal Kılıçdaroğlu dhe Sinan Oğan, sipas renditjes në fletëvotim, janë kandidatët për president të Türkiyes.
Vendvotimet të dielën, më 14 maj, do të jenë të hapura nga ora 08:00 deri në orën 17:00 sipas kohës lokale, në 87 rajone. Qendrat e votimit janë të hapura edhe jashtë Türkiyes, në 75 shtete dhe 156 përfaqësi të këtij vendi. Më shumë se 3,41 milionë qytetarë janë regjistruar për të votuar nga jashtë.