Pothuajse të gjitha vendet e NATO-s nga Ballkani e kanë furnizuar Ukrainën me armatim gjatë luftës së deritanishme me Rusinë. Për disa vende është mësuar lloji i armatimit se çfarë është dërguar dhe çfarë planifikohet të dërgohet, por për disa ekziston vetëm informacioni se Ukraina është furnizuar me armatim.
Në vazhdim TRT Balkan, ju sjell të dhëna nga disa prej shteteve të rajonit për donacionet të cilat ia kanë bërë Ukrainës në luftën përballë Rusisë.
1 milion euro nga Shqipëria për Ukrainën
Pas sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës, në qershor të vitit 2022 Shqipëria ndau një milion euro ndihmë humanitare për Ukrainën. Vendimi u mor nga Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë, por nuk u specifikua se për çfarë lloji të ndihmës bëhet fjalë. Disa muaj më vonë Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë, pranoi zyrtarisht se si vend anëtar i NATO-s, i ka dhënë kontributin e saj shtetit të Ukrainës, nëpërmjet dërgimit të mallrave dhe pajisjeve ushtarake. Mirëpo, edhe kësaj radhe nuk u konkretizuan lloji i armatimit, për dallim nga shtetet e tjera fqinje të NATO-s, të cilët i kanë bërë publike këto të dhëna.
Avion, tanke dhe helikopter nga Maqedonia e Veriut për Ukrainën
Anëtari më i ri i NATO-s, Maqedonia e Veriut, prej fillimit të agresionit rus në Ukrainë, palën ukrainase e ka furnizuar me lloje të ndryshme të armatimit. Karakterisitke në këtë rast është se armatimi të cilën Maqedonia e Veriut e ka dërguar drejt Ukrainës është po i njëjti të cilin ajo e ka blerë gjatë konfliktit të armatosur në vitin 2001.
“Donacionet përbëhen nga armë dhe municione këmbësorie, pajisje artilerie, tanke, të cilat i kemi konfirmuar tashmë një herë, avionë apo avionë të famshëm Sukhoi, mjete dhe pajisje për kryerjen e luftimeve kundër armaturës, pajisje për mbrojtjen ajrore, pajisjet dhe municionet e aviacionit ushtarak, si dhe resurset materiale të tremujorit”, tha ministrja e Mbrojtjes, e Maqedonisë së Veriut, Sllavjanka Petrovska.
Së fundmi, Qeveria e Maqedonisë së Veriut solli vendim për lidhjen e protokollit me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Ukrainës për dhurimin e fluturakeve. Jo zyrtarisht flitet se bëhet fjalë për helikopter të llojit “MI-24” të prodhimit rus, të cilat Maqedonia e Veriut i bleu nga Ukraina në Vitin 2001.
Raketahedhës dhe predha nga Mali i Zi
Deri më tani, Mali i Zi i ka dërguar Ukrainës ndihma në armë dhe pajisje ushtarake në vlerë prej më shumë se dhjetë milionë euro, dhe ndër armët dhe pajisjet e dërguara në Kiev janë raketahedhës "Strela -2M", predha mortajash dhe miliona copë municione.
Duke cituar Ministrinë e Mbrojtjes të Mali të Zi, mediat malazeze kanë raportuar se drejt Ukrainës janë nisur 216 copë të raketave kundërajrore “Strela-2M”. Krahas, këtij armatimi Mali i Zi dërgoi në Ukrainë gjithsej 759 granata 57x438 mm, të përdorura nga tipi detar me shpejtësi të lartë Bofors 57 mm.
Helikopterët e Kroacisë së shpejti në Ukrainë
Ministri kroat i Mbrojtjes Mario Banozhiq, gjatë vizitës së fundit në qytetin ukrainas Odesa, më 29 mars tha se se ai pret që 14 helikopterët transportues që Kroacia po i dhuron Ukrainës të mbërrijnë në atë vend "së shpejti"
Dymbëdhjetë prej helikopterëve të cilët Kroacia pritet t’i dërgojë në Ukrainë janë të modelit MI 8 MTV-1 dhe dy modele MI 8 T. Njëherësh, nga fillimi i luftës Kroacia në Ukrainë ka dërguar mijëra pushkë automatike dhe qindra mijëra fishekë dhe lloje të ndryshme të municionit.