Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka zhvilluar takime dypalëshe në margjinat e Konferencës së Sigurisë në Mynih.
Siç njofton zyra për media e kryeministrit, Mickoski gjatë qëndrimit të tij në Mynih ka takuar kryesuesin e Konferencës së Sigurisë, Christoph Heusgen, me të cilin ka diskutuar sfidat e sigurisë me të cilat përballet Evropa dhe rajoni, si dhe mundësitë për forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e sigurisë dhe stabilitetit.
Kryeministri Mickoski gjithashtu u takua me homologun e tij kroat, Andrej Plenkoviq, me të cilin diskutuan për zhvillimin e bashkëpunimit dhe mbështetjen e ndërsjellë në kuadër të zgjerimit të Bashkimit Evropian (BE), si dhe ndikimin e sigurisë në Ballkan për zhvillimin e vazhdueshëm të vendeve të rajonit.
Gjatë qëndrimit të tij në Mynih në kuadër të konferencës, në delegacionit e kryeministrit Mickoski është edhe ministri i Mbrojtjes i Maqedonisë së Veriut, Vllado Misajllovski.
Mëngjesit e sotëm, Misajllovsi takoi zv/ndihmës sekretarin e Mbrojtjes së ShBA-së, David Baker, për të diskutuar politikat aktuale lidhur me sigurinë rajonale dhe globale, si dhe modernizimin dhe pajisjen e ushtrisë maqedonase.
Siç është planifikuar, Misajllovski do të marrë pjesë në një drekë pune me ftesë të homologut të tij gjerman, Boris Pistorius. Me ftesë të të dërguarit special të presidentit amerikan për misione speciale, Richard Grenell, ministri maqedonas do të marrë pjesë edhe në seancën kushtuar politikave të reja të administratës amerikane.
Konferenca e Sigurisë e Mynihut është një konferencë vjetore me pjesëmarrjen e liderëve dhe vendimmarrësve nga e gjithë bota, ku mbahet debate për çështje që lidhen me politikën ndërkombëtare të sigurisë. Qëllimi i kësaj konference është vendosja e dialogut dhe krijimi i besimit në zgjidhjen paqësore të konflikteve.