Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka deklaruar se që nga fillimet e pavarësisë nga ish-federata jugosllave dy synimet strategjike të vendit të tij kanë qenë anëtarësimi i plotë në NATO dhe Bashkimin Evropian (BE), si dhe ka theksuar se Evropa duhet të jetë parimore dhe jo me standarde të dyfishta.
Siç njofton qeveria e Maqedonisë së Veriut, kryeministri Mickoski mbrëmë foli në Konferencën e Veprimit Politik Konservator (CPAC), një mbledhje politike vjetore e Partisë Republikane në Uashington.
“Ne u bëmë anëtare e NATO-s, por para kësaj ndryshuam flamurin, ndryshuam monedhën, ndryshuam kushtetutën, ndryshuam emrin tonë, sepse njëri nga fqinjët tanë u bë anëtar i NATO-s para nesh dhe abuzoi me veton për të përmbushur kërkesat dypalëshe. Nëse kjo nuk është ndërhyrje në punët e brendshme, atëherë çfarë është”, tha Mickoski në fjalën e tij.
Mickoski theksoi se vendi i tij nuk është në gjendje të anëtarësohet në BE, sepse “përsëri jemi nën presion për të ndryshuar kushtetutën tonë.
“Nëse kushtetuta nuk është çështje e brendshme e një vendi sovran, atëherë pyes veten se çfarë është. A është e drejtë kjo? Vlerat evropiane nuk janë bilateralizim i procesit të anëtaësimit në Union”, tha ai.
Mickoski ka folur edhe për partneritetin strategjik ndërmjet ShBA-së dhe Maqedonisë së VEriut, duke theksuar se vendi i tij është një nga vendet me kontributin më të madh në NATO për kokë banori.
“Ne ndajmë mbi 2 për qind, jemi të përkushtuar dhe i mbështesim politikat e presidentit Trump dhe konsiderojmë se 2 për qind duhet të jetë kufiri më i ulët dhe jo më i lartë”, theksoi Mickoski në tubimin e konservatorëve amerikanë.
Më tej, tha se Maqedonia e Veriut është “zemra e Ballkanit dhe porta juglindore e Evropës”. Si e tillë, shtoi ai, vendi ka qenë i rëndësishëm në rrugën e emigrantëve drejt Evropës për një periudhë të caktuar kohore.
“Ne ishim në front dhe luftuam kundër emigracionit ilegal duke e mbrojtur Evropën nga emigrantët ilegal”, tha ai, duke shtuar se ky është fokusi i administratës së presidentit të ShBA-së, Donald Trump.
Mickoski gjithashtu theksoi se Maqedonia e Veriut ka “një diasporë të madhe në mbarë botën, pothuajse e barabartë në numër me ato që jetojnë në vendlindje”. Ai shpjegoi shoqërinë maqedonase si “multietnike me dy të tretat maqedonas, një të tretën shqiptarë, vllehë, serbë, turq dhe të tjerë”.
Zv/presidenti i ShBA-së, JD Vance, mbajti një fjalim në CPAC të enjten, ndërsa sot pritet t’i drejtohet tubimit edhe presidenti Trump.