Mickoski-Vuçeviq: E ardhmja e rajonit është Bashkimi Evropian /        Foto: AA

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, priti sot në takim homologun e tij nga Serbia, Millosh Vuçeviq, me ç'rast të dyja vendet nënshkruan Memorandum për bashkëpunim në fushën e energjisë, minierave dhe burimeve minerale.

Kryeministri Mickoski në konferencën për media tha se sot në Shkup ka pasur takim domethënës dhe të sinqertë me kryeministrin e Republikës së Serbisë, Vuçeviq. Ai tha se takimi ishte më shumë se një takim formal, një shprehje e dëshirës së përbashkët për një të ardhme më të mirë dhe forcimin e lidhjeve mes dy vendeve tona.

"Diskutuam mënyrat për të thelluar bashkëpunimin ekonomik, si të lidhim njerëzit tanë dhe si të krijojmë mundësi për brezat e ardhshëm. Ne u fokusuam veçanërisht në bashkëpunimin kulturor dhe arsimin. Ne ramë dakord se investimi tek të rinjtë është investim në të ardhmen. Kur të rinjtë tanë të lidhen edhe më shumë, të mësojnë nga njëri-tjetri dhe të krijojnë projekte të përbashkëta, atëherë jemi të sigurt se rajoni do të ecë përpara", tha Mickoski duke shtuar:

"Biseduam edhe për sfidat me të cilat përballet rajoni. Në këto kohë të trazuara, është thelbësore që ne të qëndrojmë së bashku, të jemi zëri i arsyes dhe të punojmë drejt stabilitetit dhe sigurisë për gjithë rajonin. E theksuam rëndësinë e dialogut si rrugë e vetme për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dhe keqkuptimeve", tha Mickoski.

Sa u përket aspiratave evropiane të vendit, Mickoski tha se ka kanë konfirmuar vizionin e përbashkët se e ardhmja e rajonit është Bashkimi Evropian.

"Ne e dimë se rruga për të arritur atje nuk është e lehtë, por besojmë se me përpjekje dhe mbështetje të përbashkët mund të përmbushim kriteret dhe të sjellim përfitimet e integrimit evropian për qytetarët e rajonit. Mund të them gjithashtu se kemi biseduar për lidhjen energjetike të dy vendeve. Në mënyrë të veçantë theksuam rëndësinë e ndërtimit të interkonjektorit të gazit që lidh ose do t'i lidhë të dyja vendet në të ardhmen", deklaroi Mickoski.

Ai nënvizoi se kanë biseduar edhe për ndërtimin e hekurudhës së shpejtë, e cila është pjesë e Korridorit 10, që është prioritet strategjik i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, ashtu si Korridori 8. Mickoski theksoi se prioritet i përbashkët është ndërtimi i Korridorit 10 me fqinjin e jugut dhe fqinjin e veriut.

"Pra, mund të them se lidhja rajonale mbetet prioritet për të dyja vendet dhe se lidhja rajonale duhet të jetë pjesë e lidhjes dhe integrimit të ardhshëm brenda Bashkimit Evropian", tha Mickoski.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut tha se në takim me homologun serb është hapur edhe tema e mbajtjes së seancave të përbashkëta qeveritare. Mickoski potencoi se marrëdhëniet mes dy vendeve janë në nivel jashtëzakonisht të lartë dhe në periudhën në vijim ato duhet të thellohen.

AA