Migrimi i ballkanasve s’ka të ndalur.           / Foto: AA

Migrimi që ndodh për arsye të ndryshme në vendet e Ballkanit; Maqedoni e Veriut, Bosnjë e Hercegovinë, Shqipëri, Kosovë, Kroaci, Slloveni, Serbi dhe Mal të Zi konsiderohet ndër problemet më të rëndësishme të viteve të ardhshme.

Largimi i të rinjve nga vendet e tyre në rajonin e Ballkanit, veçanërisht për arsye të tilla si papunësia, problemet në ekonomi dhe arsim, sjell me vete shqetësimin se rajoni do të presë gjithnjë e më shumë një "popullsi të moshuar".

Maqedoni e Veriut

Profesori universitar Bujamin Bela në një deklaratë për Anadolu u shpreh se, në përgjithësi, migrimi si fenomen është në rritje e sipër, qoftë për Maqedoninë e Veriut, qoftë për vendet e rajonit. Ai thekson se në aspektin global ka mbi 20 milionë njerëz të cilët migrojnë, e gjitha kjo sipas tij, si pasojë e globalizmit dhe lëvizjes së lirë të njerëzve që për arsye të ndryshme migrojnë nga një vend në një vend tjetër.

Profesori Bela shprehet se ndikim të madh ka edhe informimi, duke theksuar se njerëzit shumë më lehtë marrin informacione se si jetohet në vendet e BE-së.

"Shohim arsye të ndryshme pse njerëzit migrojnë nëpër këto vende. Një ndër ta është edhe mungesa e fuqisë punëtore në vendet e BE-së në veçanti. Shohim se mbi 14 mijë leje pune jepen brenda vitit që janë potencial për vendet e Ballkanit dhe në veçanti për Maqedoninë e Veriut. Shihet, me një përqindje shumë të lartë, diku 28 për qind e këtyre vendeve mbulohen nga Maqedonia e Veriut", thotë profesori Bela.

Duke folur mbi statistikat lidhur me Maqedoninë e Veriut, ai tha se mërgata e vendit vazhdon të shënojë rritje dhe ka arritur në rreth 700 mijë persona.

"Disa nga statistikat të cilat i pashë nëpër raporte të ndryshme, flitet se që nga viti 2005 e këtej, në vazhdimësi në çdo pesë vite shihet se numri i emigrantëve që shkojnë nga Maqedonia e Veriut shkon në rritje e sipër. Që nga 400 mijë fillestare, ka arritur deri në rreth 700 mijë, 693 mijë persona të cilët janë pjesë e mërgatës sonë", thotë Bela, duke shtuar se, nga ana tjetër, numri i banorëve në Maqedoninë e Veriut shënon rënie dhe projeksionet flasin se kjo rënie do të vazhdojë.

Profesori Bela sqaron edhe faktorët që ndikojnë në migrimin e njerëzve nga Maqedonia e Veriut, duke theksuar se vendet ballkanike në përgjithësi kanë përjetuar tranzicion të stërzgjatur me një sistem relativisht të korruptuar, me papunësi dhe me humbje të besimit ndaj institucioneve.

"Shohim si fenomen në kohët e fundit se nuk janë vetëm kushtet ekonomike apo aspektet ekonomike ato të cilat shtyjnë për të bërë migrim, por aspektet sociale, psikologjike, arsimore", thotë Bela.

Në rast të anëtarësimit të vendit në Bashkimin Evropian (BE), ai beson se do të ketë investime më të mëdha në këto sfera dhe do të ulen oportunitetet për të vazhduar ky lloj i migrimit.

"Migrimi në të kaluarën ka qenë vetëm nga shkalla e të punësuarve të pakualifikuar të cilët kanë migruar. Shohim në kohët e fundit se pjesa më e madhe e migrimit vjen nga një strukturë tjetër, e kualifikuar, me karriera të dyfishta ku bashkëshortët të dy punojnë, nuk është problemi vetëm i pagës ose i të mirave materiale, por vendosin të migrojnë për arsye të cilat i potencova edhe më herët", thotë profesori Bela, duke shtuar:

"Në qoftë se ne si shoqëri, si shtet, arrijmë që t'i minimizojmë këto oportunitete, atëherë besoj që edhe vendimmarrja për t'u shpërngulur do të jetë më e vështirë dhe do ta parandalojmë disi këtë fenomen".

Bosnjë e Hercegovinë

Sipas hulumtimit të kryer nga "Pod Lupom" (Nën llupë), një organizatë joqeveritare që kryen hulumtime të opinionit publik në Bosnjë e Hercegovinë, 7 nga 10 qytetarë duan ta shohin vendin e tyre në BE.

Gjithashtu, 44 për qind e qytetarëve të anketuar në hulumtim dëshirojnë të largohen nga Bosnjë e Hercegovina për shkak të strukturës politike dhe papunësisë në vend. 58 për qind e të rinjve dhe 17 për qind e të moshuarve që morën pjesë në anketë dëshirojnë të largohen nga vendi.

Të anketuarit u pyetën se "cilat janë problemet kryesore në vend?", ndërsa krimi dhe korrupsioni ishin në rend të parë të përgjigjeve me 22 për qind, situata e keqe politike me 18,6 për qind dhe papunësia me 16,6 për qind.

Pjesëmarrësit në anketë mendojnë se duhet përmirësuar gjendja ekonomike, sistemi shëndetësor, paqja dhe siguria dhe se kjo situatë e pa korrigjuar shkakton korrupsion dhe paqëndrueshmëri politike.

Në përgjigje ndaj pyetjes se "Kujt i beson më shumë?" norma më e ulët ishte opsioni "besimi në institucionet shtetërore" me 7,4 për qind. Sipas anketës, 59,1 për qind e të anketuarve mendojnë se vendi po ecën në drejtim të gabuar, kurse mbështesin anëtarësimin në NATO dhe BE.

Nga anëtarësimi i pritshëm i Shqipërisë në BE, demografia e vendit do të ndikohet

Popullsia e Shqipërisë nisi të zvogëlohet që nga viti 1990, duke shënuar një fazë të re në zhvillimin politik, ekonomik dhe demografik të vendit, ndërkohë normat e ulëta të lindshmërisë dhe emigracioni janë faktorët kryesorë që ndikuan në zvogëlimin e popullsisë.

Sipas të dhënave zyrtare të Institutit të Statistikave të Shqipërisë (INSTAT), gjatë periudhës midis censeve 2001-2011, vlerësohet se rreth 500 mijë qytetarë emigruan nga Shqipëria, një mesatare prej rreth 50 mijë qytetarë në vit.

Sipas të dhënave të "Censit të Popullsisë dhe Banesave 2023", që u publikuan nga INSTAT në qershor të vitit 2024 popullsia banuese në Shqipëri, rezulton 2.402.113, prej të cilëve 49,6 për qind janë meshkuj dhe 50,4 për qind femra, me një rënie prej 420 mijë banorë në krahasim me censin e vitit 2011.

Edhe në vitet 2011-2024 trendi i emigrimit dhe ulja e numrit të popullsisë vazhdoi. Sipas INSTAT-it, ky trend emigracioni qëndron pothuajse i njëjtë ende me mesatarisht 50 mijë emigrantë në vit, duke sjellë për pasojë edhe uljen e popullsisë rezidente në vend.

Sipas raporteve, deklaratave dhe të dhënave të disa organizatave dhe partive politike nga Shqipëria, rreth 50 për qind e të larguarve gjatë viteve të fundit, janë të rinj të moshës 15 -29 vjeç, ndërsa një nga arsyet kryesore renditet ajo ekonomike.

Një tjetër faktor kryesor që ka ndikuar në uljen e popullsisë në Shqipëri në vitet e fundit është edhe rënia e lindjeve. Sipas autoriteteve shqiptare, gjatë periudhës 2011-2023 numri i lindjeve është ulur ndjeshëm: nga rreth 34 mijë në 2011, në rreth 24 mijë në 2023, duke u regjistruar norma të ulëta të lindshmërisë.

Aktualisht Shqipëria është vend kandidat për anëtarësimin në Bashkimin Evropian që nga viti 2014 dhe ka nisur negociatat për grupkapitujt e parë, për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Me anëtarësimin e pritshëm pas disa vitesh demografia e vendit pritet të përfshihet përsëri nga ndryshimet.

Mbi 27 për qind e të rinjve në Kosovë planifikojnë të migrojnë

Pasi që nga 1 janari 2024 qytetarët e Kosovës filluan të udhëtojnë pa viza në zonën Schengen, çështja e migrimit në vendet e Evropës Perëndimore filloi të zërë më shumë vend në agjendën e vendit. Sipas anketës të bërë nga Instituti GAP për vitin 2024 me pjesëmarrjen e përafërsisht 1.000 personave, 27,9 për qind e qytetarëve të Kosovës mbi moshën 18-vjeçare planifikojnë të migrojnë në vendet perëndimore.

Sipas rezultateve preliminare të censit të këtij viti në Kosovë, popullsia e vendit ka shënuar rënie të ndjeshme krahasuar me censin e bërë në vitin 2011. Popullsia, e cila ishte 1.739.825 në vitin 2011, u ul në 1.586.659 në vitin 2024.

Një nga gjetjet e rëndësishme të rezultateve preliminare të censit ishte migrimi nga qytetet e tjera të vendit drejt kryeqytetit Prishtinë. Përderisa kishte një rënie të popullsisë në të gjithë vendin, popullsia e Prishtinës u rrit për afërsisht 15 për qind gjatë periudhës së njëjtë.

Meqenëse një nga arsyet më të rëndësishme të rënies së popullsisë është "emigrimi në vendet e Evropës Perëndimore", Kosova aktualisht është duke kryer procesin e "censit të diasporës". Me shpalljen e rezultateve të censit, i cili do të vazhdojë deri në fund të vitit, pritet që diaspora e vendit të jetë më shumë se sa popullata rezidente.

Sipas një studimi të bërë nga Fondacioni "Friedrich Ebert", thuhet se shumica e të rinjve kosovarë tentojnë të largohen nga vendi në kërkim të kushteve më të mira të jetesës dhe prosperitetit. Hulumtimi gjithashtu theksoi se migrimi i popullatës së re nga Kosova është ndër problemet e rëndësishme me të cilat do të përballet vendi në 10 vitet e ardhshme.

Popullsia e Serbisë dhe ajo e Malit të Zi po plaket

Përderisa Serbia gjendet në mesin e vendeve të rajonit që ka pësuar më së shumti migrim të brendshëm, popullsia e moshuar është 20 për qind më shumë se e ajo e re.

Sipas regjistrimit të fundit, popullsia e Malit të Zi, që ka popullsinë më të vogël në rajon, është shpallur 623 mijë, ndërsa mosha mesatare është regjistruar 39 vjeç, që tregon se Mali i Zi është një vend gjithnjë e më i moshuar.

Përderisa theksohet se Mali i Zi është një vend që pranon një sasi të konsiderueshme imigrimi, raporti mesatar i moshës në regjistrim tregon se shumë të rinj emigrojnë nga vendi.

Edhe Sllovenia dhe Kroacia anëtare të BE-së humbin popullsi

Sllovenia dhe Kroacia, të cilat janë anëtare të BE-së në rajon, janë gjithashtu ndër vendet që humbasin me shpejtësi popullsinë.

Sipas ekspertëve në Kroaci, vendi me një popullsi prej rreth 4 milionë banorësh humbet afërsisht 25 mijë njerëz çdo vit. Ekspertët kanë deklaruar se situata e migracionit në Kroaci është "serioze" dhe se duhet të bëhen më shumë investime në këtë fushë në vend.

Sllovenia nga ana tjetër me një popullsi prej 2 milionë banorësh është një vend tjetër që pëson humbje të popullsisë.

Duke qenë se është anëtare e BE-së, Sllovenia tërheq vëmendjen edhe si vendi që merr më shumë emigracion nga vendet e rajonit.

TRT Balkan / agjencitë