Duke folur në konferencën e rregullt vjetore të diplomatëve kroatë në Zagreb, ku morën pjesë ambasadorë, konsuj, konsuj të përgjithshëm dhe të dërguar ushtarakë të Republikës së Kroacisë, presidenti kroat Zoran Millanoviq trajtoi një sërë çështjesh të politikës së jashtme, me fokus të veçantë në njohjen të Palestinës si shtet.
“Një seri e tërë shtetesh e njohën Palestinën, duke përfshirë disa nga vendet e ish-Jugosllavisë. Kroacia hesht. Për mua, njohja e Palestinës është çështje morale dhe nuk ka absolutisht asnjë arsye a justifikim për të mos e njohur të drejtën e popullit palestinez për të pasur shtet. Pse po hesht Kroacia? Nuk shoh asnjë arsye pse Kroacia nuk do ta njohë Palestinën”, tha presidenti kroat Zoran Millanoviq.
Palestina u njoh nga më shumë se 75 për qind e anëtarëve të OKB-së, por jo nga Kroacia.
E fundit në një seri vendesh që njohu Palestinën si shtet ishte Armenia dhe pak më parë këtë veprim vendosi edhe Sllovenia.
Të paktën 148 shtete anëtare të OKB-së e njohin Palestinën si shtet, por Kroacia nuk është në mesin e tyre.
Pasi tri vende evropiane - Norvegjia, Spanja dhe Irlanda - vendosën për këtë lëvizje në maj 2024, kryeministri kroat Andrej Plenkoviq u pyet nga gazetarët nëse edhe Kroacia do të vendoste të bënte të njëjtën gjë, për të cilën Plenkoviq u përgjigj se në atë moment "nuk mendon për njohjen e Palestinës”.
"Për momentin ne nuk po mendojmë për këtë. Qëndrimi ynë i përhershëm bazohet në zgjidhjen me dy shtete, por në një mënyrë që të dyja palët të arrijnë një marrëveshje", theksoi ai.
Pas pak kohësh, kundër këtyre deklaratave ka reaguar edhe kundërshtari politik absolut i Plenkoviqit, presidenti Zoran Millanoviq, i cili ka thënë se Plenkoviqi nuk mund të vendosë në mënyrë të pavarur për vendime kaq të vështira.
“Edhe pse autoritetet izraelite kanë bërë gjëra të tmerrshme në gjashtë muajt e fundit, njohja eventuale e Palestinës nuk është një vendim i thjeshtë”, tha Millanoviq në atë kohë.
Tani, tre muaj më vonë, dhe pothuajse një vit nga fillimi i sulmeve brutale të Izraelit ndaj palestinezëve, presidenti kroat është plotësisht i përkushtuar për njohjen e Palestinës.
Përfaqësuesit e diplomacisë kroate në përgjithësi rrallë shprehin një qëndrim të qartë për këtë çështje dhe janë mjaft të paqëndrueshëm në vendimet e tyre. Kjo mbështetet nga fakti se, gjatë votimit në OKB për një armëpushim humanitar urgjent, të përhershëm dhe të qëndrueshëm në Gaza, Kroacia votoi kundër, ndërsa gjatë votimit për njohjen e shtetit palestinez, por edhe në OKB, abstenoi.