Ministri i Jashtëm dhe i Tregtisë së Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski, ka takuar homologun e tij, ministrin e Jashtëm të Egjiptit, Badr Abdelatty.
Takimi, sipas njoftimit të Ministrisë së Jashtme të Maqedonisë së Veriut, është realizuar në margjinat e Konferencës vjetore "Dialogu i Mesdheut" që po mbahet në Romë të Italisë.
Në njoftim thuhet se në një vit që shënon 30-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve, "takimi i sotëm konfirmon marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe dhe thekson gatishmërinë e përbashkët për forcimin e mëtejshëm të tyre".
"Të dy ministrat diskutuan për avancimin e dialogut politik në nivel të lartë dhe thellimin e bashkëpunimit ekonomik dhe ndërsektorial. Në këtë drejtim u paralajmërua organizimi i një forumi biznesi me kompani nga të dyja vendet për vitin 2025", thuhet në njoftim.
Më tej, sipas njoftimit, ministri Mucunski shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen e Egjiptit për kandidaturën e vendit të tij për anëtarësim në Këshillin e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, duke theksuar bashkëpunimin e shkëlqyer të deritanishëm në kuadër të organizatave shumëpalëshe.