Ministri i Punëve të Jashtme i BeH-së vizitë në Shqipëri / Foto: AA

Ministri i Punëve të Jashtme i Bosnjë e Hercegovinës, Elmedin Konakoviq, ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Shqipëri, ku ka takuar homologun e tij shqiptar, Igli Hasanin.

Pas takimit në selinë e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme në Tiranë, Hasani dhe Konakoviq mbajtën një konferencë të përbashkët për mediat, duke u fokusuar në marrëdhëniet mes dy vendeve dhe çështje të tjera.

Ministri Hasani ka theksuar se me ministrin Konakoviq ka zhvilluar bisedime të sinqerta dhe të frytshme.

"Konstatuam se potenciali i zhvillimit të marrëdhënieve dypalëshe është ende i pashfrytëzuar siç duhet. Vendosëm disa piketa të punës sonë të mëtejshme dhe diskutuam drejtimet për hedhjen e shinave të thellimit dhe zgjerimit të bashkëpunimit dypalësh", është shprehur Hasani.

Hasani shtoi se procesi i integrimit evropian ishte një tjetër kapitull i rëndësishëm i bisedimeve.

"Shpresojmë se jemi brenda një dinamike pozitive të integrimit të vendeve tona në Bashkimin Evropian. Shqipëria vlerëson dhe mbështet përpjekjet e Bosnjë e Hercegovinës dhe hapat e hedhur në këtë drejtim, të cilat së fundi kanë dhënë rezultat konkret në procesin e integrimit të Bosnjë e Hercegovinës", tha Hasani.

Ai ka shtuar se i ka shprehur homologut boshnjak kërkesën për një rivlerësim të qëndrimit lidhur me anëtarësimin e Kosovës në nismat rajonale.

"Pata rastin t’i përsëris kolegut dhe mikut tim boshnjak mbështetjen e plotë për tërësinë territoriale dhe sovranitetin e Bosnjë e Hercegovinës", tha Hasani.

Ministri Konakoviq ka theksuar se kjo vizitë tregon se sa të rëndësishme janë marrëdhëniet mes dy vendeve.

"Ju falënderoj shumë që na mbështesni. Ju falënderoj për rezolutën në lidhje me ngjarjet në Srebrenicë. Është një ditë ndërkombëtare dhe duke filluar që nga ky vit, është një përkujtimore zyrtare në Evropë. Të gjithë duhet të jenë në dijeni të atyre që kanë ndodhur në Srebrenicë", tha Konakoviq duke iu drejtuar homologut shqiptar.

Konakoviq shtoi se është mjaft e rëndësishme që në Ballkanin Perëndimor dhe në të gjithë Evropën të këtë qetësi.

Kryediplomati i BeH-së shtoi se tashmë kanë ambasadat në kryeqytetet përkatëse dhe po i forcojnë edhe më tej marrëdhëniet midis BeH-së dhe Shqipërisë.

AA