Në 30-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Maqedonisë së Veriut dhe Bosnjë e Hercegovinës, zëvendëskryesuesja e Këshillit të Ministrave dhe Ministrja e Jashtme e Bosnjë e Hercegovinës, Bisera Turkoviq, u prit nga krerët shtetërorë në Shkup. Turkoviq takoi presidentin Stevo Pendarovski, kryeparlamentarin Talat Xhaferi dhe homologun e saj, Ministrin e Jashtëm Bujar Osmani.
Pas takimit me Osmanin, Turkoviq tha se lidhjet mes popujve janë të natyrshme, por duhet të përforcohen lidhjet institucionale dhe ekonomike mes dy shteteve.
“Kemi folur sot për përforcimin e lidhjeve tona dhe bashkëpunimit tonë, si dhe për situatën në rajonin e Ballkanit Perëndimor në rrethanat e reja gjeopolitike. Lidhjet historike dhe kulturore mes njerëzve janë të pandashme dhe tejkalojnë çdo kufi. Ne këtu ndihemi si në shtëpi. Por, na duhet vendosja e një kornize funksionale për komunikim më të mirë dhe përforcim të lidhjeve ekonomike. Kemi disa marrëveshje dypalëshe, por na mungon një fluturim Sarajevë-Shkup”, deklaroi Turkoviq.
Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, theksoi se me homologen nga Bosnjë e Hercegovina është diskutuar për perspektivën evropiane të rajonit, si dhe kryesimin e Maqedonisë së Veriut me OSBE-në dhe nismën A5, ShBA-Karta e Adriatikut.
“Urova për marrjen e statusit kandidat për anëtarësim në BE. Me këtë vendim dërgohet shenjë pozitive për perspektivë kredibile evropiane të të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe ka rëndësi të veçantë për stabilitetin, prosperitetin dhe të ardhmen evropiane të rajonit”, njoftoi Osmani.
Marrëdhëniet diplomatike mes Shkupit dhe Sarajavës u vendosën në maj të vitit 1993, pasi së pari Maqedonia e Veriut në vitin 1991 dhe më pas Bosnjë e Hercegovina në vitin 1992 u shkëputën nga Jugosllavia.