Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar ndryshimet e fundit në kabinetin qeveritar dhe drejtimin e Kuvendit, ku Elisa Spiropali është zgjedhur në postin e kryeparlamentares.
Dekretet e presidentit Bajram Begaj mbi ndryshimet në Qeverinë e Shqipërisë të propozuara nga kryeministri Edi Rama u miratuan në seancën e sotme të jashtëzakonshme të Kuvendit të Shqipërisë mes tensionesh.
Ministri i deritanishëm i Punëve të Brendshme, Taulant Balla, është emëruar ministër Shteti për Marrëdhëniet me Parlamentin në Qeverinë e Shqipërisë. Në postin e ministrit të Brendshëm është emëruar Ervin Hoxha.
Ministër i Financave është emëruar Petrit Malaj, i cili do të zëvendësojë në këtë post Ervin Meten.
Në postin e ministrit të Mbrojtjes është emëruar drejtori i deritanishëm i Autoritetit Portual Durrës, Pirro Vëngu, i cili do të zëvendësojë Niko Peleshin.
Pas ceremonisë së betimit, ministrat e rinj do të marrin zyrtarisht detyrën.
Deputetët opozitarë bllokuan foltoren, si dhe hodhën letra dhe ujë në drejtim të anëtarëve të kabinetit qeveritar.
Kush është kryeparlamentarja e re Elisa Spiropali?
Kuvendi i Shqipërisë zgjodhi me 75 vota pro, 4 kundër dhe asnjë abstenim Elisa Spiropalin, si kryeparlamentare, nga 140 depuetë që ka Kuvendi i Shqipërisë, ndërkohë pjesa tjetër e deputetëve nuk kanë marrë pjesë në votim.
Spiropali zëvendëson në krye të Kuvendit të Shqipërisë Lindita Nikollën, e cila dha dorëheqje si kryeparlamentare më 26 korrik, sipas saj për aryse shëndetësore.
Spiropali ka lindur më 15 mars 1983 në Tiranë dhe që nga viti 2017 është deputete e partisë në pushtet, Partisë Socialiste të Shqipërisë.
Ajo ka kryer studimet e larta në SHBA për ekonomi dhe politikë, ndërkohë ka kryer edhe studime pasuniversitare në Britani. Gjithashtu ka kryer edhe studimet e doktoraturës në Universitetin e Tiranë, në degën e marrëdhënieve ndërkombëtare.
Nga tetori 2013‐mars 2015 ajo ka mbajtur postin e drejtoreshës së Përgjithshme të Doganave të Shqipërisë.
Që nga viti 2019 ka mbajtur postin ministres së Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin në Qeverinë e Shqipërisë.
Spiropali është e martuar dhe ka dy fëmijë.