Mishi dhe prodhimet e mishit gjithmonë kanë qenë pjesë e pandarë e kuzhinave tradicionale për të gjitha kulturat ballkanike. Qoftë patate, fasule apo lakra, ose një dyzinë specialitetesh të tjera që kanë mishin në qendër.
Por thellimi i varfërisë nga njëra anë dhe rritja e madhe e çmimeve nga ana tjetër, po e largojnë gjithnjë e më shumë mishin nga tryeza.
Në fakt, një raport i Eurostat-it, zyrës evropiane të statistikës, tregon se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kryesojnë në gjithë kontinentin evropian, për nga numri i popullsisë që nuk mund të përballojnë konsumimin e mishit rregullisht.
Rreth 36.5 për qind e popullsisë së Maqedonisë së Veriut, sipas raportit, nuk mund të përballojnë një vakt me mish të kuq, pulë ose peshk çdo të dytën ditë. Menjëherë pas vjen Shqipëria me 34.3 për qind të popullsisë në pamundësi për të siguruar një vakt me mish çdo të dytën ditë.
Një e katërta e popullsisë bullgare, gjithashtu nuk mund të shtrojë mish në tryezë çdo të dytën ditë. Në Serbi dhe Mal të Zi vetëm 14.9 respektivisht 14.5 për qind e popullsisë kanë problem të përballojnë konsumin e rregullt të mishit.
Për Kosovën dhe Bosnjë e Hercegovinën, Eurostat nuk ka të dhëna për këtë temë. Në Kroaci problem me përballimin e mishit kanë vetëm 7.9 për qind e popullsisë, që është më pak se mesatarja e Bashkimit Evropian ku kjo kategori e qytetarëve përbën 8.1 për qind të popullsisë.
Inflacioni, goditje shtesë për buxhetin familjar
Të dhënat më lartë janë për vitin 2021, që ishte megjithatë viti më i mirë në aspekt ekonomik në periudhën e fundit, mes pandemisë dhe krizës energjetike.
Inflacioni, si pasojë e krizës energjetike dhe luftës në Ukrainë, ka prekur të gjitha fushat, përfshirë edhe industrinë e mishit. Çmimi për një kilogram mish gjedhi në supermarketet e Ballkanit sillet mes 8 dhe 10 euro. Sipas një analize të TRT Balkan, më lirë gjendet në Shqipëri dhe Mal të Zi, me 8 dhe 8.5 euro respektivisht, ndërsa më shtrenjtë 1 kilogram mish gjedhi paguhet në Serbi dhe Kosovë, 10 dhe 9.5 euro respektivisht. Maqedonia e Veriut dhe Bosnja e Hercegovina janë rreth mesatares prej 9 euro për një kilogram mish.
Këto çmime, si shumica e prodhimeve ushqimore, janë shumë më të larta në krahasim me vitin e kaluar.
Mali i Zi me pagat më të larta, Shqipëria më të ulëtat
Duke parë pagat ballkanike në raport me çmimet në rritje, nuk është e çuditshme që një pjesë e madhe e qytetarëve të Ballkanit nuk mund të përballojnë konsum të rregullt të mishit.
Paga mesatare neto në Ballkan është mes 400 dhe 700 euro gjatë këtij viti. Pagat më të larta janë në Mal të Zi, me mesatare 710 euro neto. Pas saj vijnë Serbia me 622 euro pagë mesatare neto dhe Bosnja e Hercegovina me 575 euro pagë mesatare neto.
Shqipëria ka pagat më të ulta në rajon, me një mesatare prej 427 euro neto në muaj. Ajo ndiqet nga Kosova (432 euro) dhe Maqedonia e Veriut (517 euro).
Krizat e vazhdueshme viteve të fundit kanë thelluar edhe më shumë varfërinë në shtetet e Ballkanit. Gjatë pandemisë me Covid-19, në vitin 2020, varfëria shënoi rritje për 1.4%, ndërsa sipas Bankës Botërore nga 165 mijë deri 336 mijë persona nga ky rajon ranë në varfëri vetëm gjatë vitit 2020.
Sapo filloi rimëkëmbja pas-pandemike në vitin 2021, me uljen e varfërisë për 2.9%, sfida të tjera u shfaqën në horizont gjatë këtij viti. Lufta në Ukrainë si dhe kriza energjetike dhe inflacioni si pasojë, shtuan presionin mbi të varfrit. Parashikimet janë që varfëria do të thellohet edhe më tej.
Sipas parametrave ndërkombëtarë, varfëri ekstreme konsiderohet jeta me më pak se 2.15 dollarë në ditë.