Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara (KSKB) ka pesë anëtarë të përhershëm (P5): Kina, Rusia, Franca, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara, të cilët mund të vënë veton ndaj çdo projektrezolute, edhe nëse janë marrë nëntë votat e nevojshme nga pesëmbëdhjetë.     Foto: AA

“Bota është më e madhe se pesë” është një moto e njohur, e cila është përdorur vazhdimisht nga presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan që nga viti 2013. Ai e përdor këtë moto në platforma të ndryshme vendase dhe ndërkombëtare për të tërhequr vërejtjen ndaj padrejtësive në sistemin ndërkombëtar.

Profesor Nurşin Ateşoğlu Güney nga Universiteti Nişantaşı i Istanbulit thotë për TRT Balkan se në botën e sotme, nuk ka një marrëveshje të përgjithshme se çfarë forme do të marrë rendi botëror në vitet dhe dekadat në vazhdim.

Problemet dhe sfidat në çdo pjesë të botës mund të çojnë shpejt në pasoja që prekin mbarë njerëzimin.

“E sigurt është se njerëzimi duhet të përballet me transformime dhe sfida të mëdha dhe në shumë mënyra të paprecedentë, si p.sh. ndryshimi i klimës, rritja e terrorizmit dhe luftëtarëve të huaj, përhapja e armëve bërthamore, gatishmëria për pandeminë, luftërat civile, lëvizjet masive të migracionit dhe luftërat si Ukraina etj”, thotë Güney.

Struktura e fuqisë së sistemit të sotëm ndërkombëtar mbron kryesisht vendet e zhvilluara. Ndërsa vendet e pafavorizuara në Ballkan, Afrikë, Azi, Afrikë, Amerikën e Jugut janë dërrmuar nën peshën e një sistemi të padrejtë ndërkombëtar.

Për të dhënë një shembull: Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara (KSKB) ka pesë anëtarë të përhershëm (P5): Kina, Rusia, Franca, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara, të cilët mund të vënë veton ndaj çdo projektrezolute, edhe nëse janë marrë nëntë votat e nevojshme nga pesëmbëdhjetë.

Popullsia e kombinuar e Azisë (4.6 miliardë) dhe e Afrikës (1.3 miliardë) përbën mbi tri të katërtat e popullsisë së botës. Megjithatë, përfaqësimi aziatik e afrikan dhe pjesa tjetër e botës janë dukshëm të dobëta në KS të OKB-së.

Kjo është arsyeja pse, në vitet e fundit, Türkiye këmbëngul se kërkohet një reformë rrënjësore për sistemin ndërkombëtar, veçanërisht OKB-në, respektivisht Këshillin e Sigurimit.

Redaktorja e lajmeve në Anadolu Agency, Zeliha Eliaçık thotë për TRT Balkan, se kjo thirrje nuk është një qëndrim i zbrazët ideologjik.

“Ndërsa bilanci botëror po ndryshon, pse të mos ndryshohen institucionet e mbetura nga Lufta e Dytë Botërore? Ndërsa bota po kalon një proces të tillë ndryshimi, është e paimagjinueshme që institucionet e ndërtuara dhe të strukturuara sipas ekuilibrave të vjetër ndërkombëtarë të mbeten të pandryshuara”, shprehet Eliaçık.

Një pakicë e privilegjuar nuk duhet të monopolizojë pushtetin

Kapitulli 1, neni 1 i Kartës së OKB-së thotë se qëllimi i parë i OKB-së është ruajtja e paqes dhe e sigurisë ndërkombëtare. Prandaj, organizata synon të parandalojë kërcënimet ndaj paqes, të shtypë aktet e agresionit dhe të sjellë zgjidhje paqësore të konflikteve ndërkombëtare.

Megjithatë, kompetenca absolute e vetos e dhënë nga neni 27 për secilin prej anëtarëve të përhershëm të Këshillit ka qenë që në fillim një pengesë kryesore për përmbushjen e misionit të organit.

Lufta në Ukrainë i ka treguar botës se kjo strukturë e Këshillit të Sigurimit e OKB-së do të jetë një pengesë kryesore për paqen.

“P5 ka qenë pothuajse gjithmonë i ndarë në blloqe rivale gjeopolitike, me një anëtar të një blloku - kryesisht ose Bashkimi Sovjetik (dhe tani trashëgimtari i tij, Rusia) ose ShBA-ja që ushtron veton e saj në shumë vendime kruciale. Sot, ofensiva e Rusisë ndaj Ukrainës është një kujtesë e ashpër e pafuqisë së Këshillit të Sigurimit kur interesat e një ose më shumë nga P5 bien ndesh me ato të anëtarëve të tjerë”, thotë profesor Güney.

Një pakicë e privilegjuar aktorësh të fuqishëm nuk duhet të monopolizojë pushtetin në kurriz të shumicës, ndërkohë që një rend i ri botëror njeh ekzistencën e një bote shumëpolare.

Pse kjo moto është kritike për Ballkanin?

Reforma e Këshillit të Sigurimit të OKB-së është e nevojshme për ta bërë sistemin e OKB-së sërish aktiv për faktin se e ardhmja e 7 miliardë njerëzve nuk mund të jetë në dorën e drejtësisë së pesë vendeve, as e qëndrueshme dhe as e drejtë.

Shumica e anëtarëve të përhershëm në KS janë nga Perëndimi, ndërsa përfaqësimi aziatik, afrikan e ballkanik është dukshëm i dobët.

Nëse KS-ja e OKB-së nuk përshtatet me realitetet gjeopolitike të shekullit të 21-të, legjitimiteti dhe autoriteti i saj do të ishin në rrezik.

“Edhe pse fronti perëndimor me anëtarësimin e ShBA-së, NATO-s dhe OKB-së përpiqet t’i mbajë vendet e Ballkanit në periferi të tij, besnikëria institucionale dhe ideologjike ndaj blloqeve po dobësohet gradualisht. Bota po kalon nga një sistem i përcaktuar nga disa vende në një politikë me shumë aktorë”, thotë Eliaçık.

Prandaj, kjo moto përfshin vendet e Ballkanit; sidomos Shqipërinë, Bosnjë e Hercegovinën, Kosovën, Serbinë, Maqedoninë e Veriut e Malin i Zi, që presin të përfshihen plotësisht në bllokun perëndimor prej vitesh.

Dr. Eliaçık thotë: “Türkiye po përpiqet të avancojë interesat e saj dhe të krijojë hapësirë për vendet e tjera në rajon që, si Türkiye, janë përjashtuar nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së. Edhe pse vendet e Ballkanit janë anëtare të BE-së dhe të NATO-s, ato janë trajtuar gjithmonë si ‘fëmijë të njerkut’. Edhe përkatësia e tyre në BE është e diskutueshme”, shton Eliaçık.

Solidariti kolektiv në zgjidhjen e konflikteve

Lufta e përgjakshme në Bosnjë e viteve 1992-1995 ishte ndoshta një nga çështjet e para kryesore në epokën pas Luftës së Ftohtë që alarmoi Türkiye-n për strukturën problematike të institucioneve ndërkombëtare.

Dhe më pas, shumë zhvillime ndërkombëtare si Siria, Mianmari, Ukraina e kështu me radhë, e kanë motivuar presidentin turk Erdoğan të krijojë një moto kaq të gjerë për sistemin ndërkombëtar.

“Që nga fillimi i saj, OKB-ja nuk ka arritur të japë zgjidhje praktike për konfliktet ndërkombëtare, siç e kemi parë në Bosnjë, Mianmar dhe Ukrainë. Për më tepër, ajo ka dhënë pamjen e një aparati që mbron interesat e shteteve anëtare hegjemoniste”, thekson Eliaçık.

Këshilli është bërë burimi kryesor i pasigurisë për shumë shtete për shkak të abuzimit nga P5 të privilegjeve të tyre për hir të përfitimeve gjeopolitike dhe ekonomike.

Prandaj, rendi i ri ndërkombëtar do t’i jepte prioritet solidaritetit kolektiv, zgjidhjeve praktike dhe bashkëpunimit kundër agresionit.

Ruajtja e paqes dhe e stabilitetit

Paqja dhe stabiliteti, veçanërisht në Kosovë dhe BeH, ndonjëherë kërcënohen nga e drejta e vetos brenda Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

“Gjatë Luftës së re të Ftohtë, ku rivaliteti i fuqive të mëdha është intensifikuar jo vetëm në Ukrainë, por edhe në Ballkanin Perëndimor, nevoja për ruajtjen e paqes dhe e stabilitetit në rajon bëhet e pashmangshme”, thotë Güney.

Për të dhënë një shembull, veçanërisht Rusia dhe disa anëtarë të tjerë kryesisht perëndimorë të Këshillit të Sigurimit kanë mosmarrëveshje për shumë çështje në Bosnjë e Hercegovinë dhe Kosovë. Funksioni i Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë në Bosnjë, forcat e paqes dhe të stabilizimit në Kosovë dhe Bosnjë janë temat kryesore për t’u kritikuar dhe kërcënimet e vetos që përdoren brenda KS-së të OKB-së.

“Për të kapërcyer veton e P5, që pengon funksionimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, komuniteti ndërkombëtar duhet të marrë në konsideratë moton e presidentit turk Erdoğan se ‘bota është më e madhe se pesë’ dhe ta marrë seriozisht reformimin e OKB-së”, shton Güney

Ndryshe, kundërshtimet e presidentit turk Erdoğan synojnë jo vetëm sistemin e OKB-së, por edhe mekanizmat dhe institucionet e tjera ndërkombëtare që dëmtojnë drejtësinë globale, si FMN-ja, Banka Botërore.

TRT Balkan