Ndryshime kushtetuese për integrim në BE, Maqedonia e Veriut nis procesin / Photo: AA

Maqedonia e Veriut filloi edhe zyrtarisht procedurën për ndryshime kushtetuese, ashtu siç kishte marrë obligim në Marrëveshjen me Bullgarinë për të zhbllokuar procesin eurointegrues të Shkupit. Me amendamentet kushtetuese synohet që pakica bullgare, bashkë me pakica të tjera si malazeze dhe kroate, të njihen zyrtarisht në Preambulë.

Kjo ishte një prej kërkesave të Bullgarisë, në këmbim të heqjes së vetos ndaj Maqedonisë së Veriut në Bruksel.

Më 19 korrik, Qeveria e Maqedonisë së Veriut dorëzoi në Kuvend propozimin për fillimin e ndryshimit të Kushtetutës. Seanca plenare për këtë çështje është caktuar për më 18 gusht, ndërsa paraprakisht do të diskutojë Komisioni Parlamentar i Çështjeve Kushtetuese më 25 korrik.

Betejë numrash

Burrshtetas, diplomatë dhe funksionarë të BE-së dhe vendeve anëtare po e vizitojnë Shkupin gjatë periudhës së fundit, duke përcjellë mesazhe inkurajuese për votimin e ndryshimeve kushtetuese. Trumbetohet se këto ndryshime janë interes i shtetit, pasi krijojnë kushtet për hapjen e kapitujve, pas një ngecjeje të gjatë të procesit eurointegrues për Maqedoninë e Veriut.

Megjithatë, faktori politik në Shkup nuk është i unifikuar rreth këtyre ndryshimeve. Opozita maqedonase, VMRO DPMNE-ja dhe E Majta, vlerësojnë se këto ndryshime cenojnë interesin kombëtar dhe hapin rrugën për kërkesa të reja nga Sofja.

Qeveria, e cila sponsorizon fort këtë proces, aktualisht nuk i ka numrat për ta çuar deri në fund. Për ndryshimin e Kushtetutës duhet të votojnë të paktën 2/3 e deputetëve, pra 80 nga 120 deputetët në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut, ndërsa shumica parlamentare numëron diç më shumë se gjysmën e deputetëve.

Kërkesat e opozitës shqiptare

Përderisa partitë shqiptare në përgjithësi përkrahin procesin, partitë në opozitë kanë edhe kërkesa konkrete në procesin e ndryshimeve kushtetuese.

Opozitarët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut kërkojnë që gjatë hapjes së Kushtetutës, të korrigjohet edhe formulimi kushtetues për gjuhën shqipe.

Aktualisht, Kushtetuta përkufizon se gjuhë zyrtare në Maqedoninë e Veriut është gjuha maqedonase dhe “gjuha që e flasin të paktën 20% e qytetarëve”.

Shqiptarët përbëjnë 1/4 të popullsisë rezidente të Maqedonisë së Veriut. Mosplotësimi i kërkesës së tyre rrezikon edhe përkrahjen e deputetëve të opozitës shqiptare për ndryshimin e kushtetutës, duke shtuar kokëdhembjet e Qeverisë në garën për të siguruar 80 vota ‘Po’ në Kuvend.

TRT Balkan