Në Kosovë përkujtohet 15 korriku, Dita e Demokracisë dhe e Unitetit Kombëtar / Photo: AA

Në Prishtinë është mbajtur ceremonia përkujtimore me rastin e 15 korrikut, Ditës së Demokracisë dhe të Unitetit Kombëtar.

Në ceremoninë e organizuar nga Ambasada e Türkiyes në Kosovë morën pjesë kryeministri i Kosovës Albin Kurti, zv/kryeministrja për Komunitete dhe të Drejtat e Njeriut Emilija Rexhepi, ambasadori turk Sabri Tunç Angılı, ministra të kabinetit qeveritar, deputetë të Kuvendit të Kosovës, si dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve dhe organizatave vendore e të huaja.

Në fillim të ceremonisë u mbajt një minutë heshtje për dëshmorët e rënë, u kënduan himnet kombëtare të të dyja vendeve dhe u bënë lutje për dëshmorët.

Në fjalën e tij në ceremoni, ambasadori Angılı tha se anëtarët e FETO-s u mundën natën e 15 korrikut falë maturisë së kombit dhe guximit të forcave të armatosura dhe forcave të sigurisë që i qëndruan besnik betimit të tyre ushtarak.

Ambasadori Angılı theksoi se Türkiye është më e fortë sot se 7 vjet më parë falë mbështetjes së kombit.

“Kjo përpjekje e pabesë rezultoi në unitetin e kombit tonë dhe forcimin e demokracisë sonë. FETO-ja dhe organizatat e tjera terroriste nuk i kanë arritur qëllimet e tyre dhe nuk do t'i arrijnë kurrë ato”, tha Angılı.

Në fjalën e saj, zv/kryeministrja Rexhepi përkujtoi të gjithë dëshmorët që humbën jetën duke mbrojtur vendin e tyre.

“Qeveria e Republikës së Kosovës dënon të gjitha llojet e akteve terroriste kundër një shteti të pavarur modern”, tha Rexhepi.

Në ceremoni mbajtën fjalime edhe deputetët nga Partia Demokratike Turke të Kosovës (KDTP) Fidan Brina Jılta dhe Enis Kervan.

Me rastin e 15 korrikut, Ditës së Demokracisë dhe Bashkimit Kombëtar, shumë manifestime janë mbajtur edhe në Prizren dhe Mamushë në jug të Kosovës.

Fotografi nga Agjencia Anadolu janë ekspozuar në ekspozitën “15 Korriku - Dita e Demokracisë dhe e Unitetit Kombëtar”, e cila u hap në bashkëpunim me Konsullatën e Përgjithshme të Türkiyes në Prizren dhe Institutin “Yunus Emre” në Prizren.

AA