Me ceremoni solemne, në Maqedoninë e Veriut filloi Konferenca e 50-të Rajonale Evropiane e INTERPOL-it.
Pas intonimit të himneve të Maqedonisë së Veriut dhe INTERPOL-it, të pranishmit mbajtën një minutë heshtje në nderim të policëve të rënë.
Më pas, fjalime mbajtën presidenti i INTERPOL-it, gjeneralmajor Ahmed Naser Al-Raisi, dhe ministri i Punëve të Brendshme i Maqedonisë së Veriut, Oliver Spasovski.
Duke theksuar se INTERPOL-i u themelua para 100 vjetësh në Vjenë, presidenti Al-Raisi në fjalën e tij tha se Evropa i hapi rrugën organizatës në mbarë botën, duke shtuar se INTERPOL-i është i rrënjosur thellë në rajon.
"Rajoni ka qenë një lojtar kyç në sukseset e INTERPOL-it gjatë 100 viteve të fundit. Pavarësisht sukseseve operacionale, në horizont ka shumë kërcënime reale. Vrasjet ndërkombëtare në gjithë Evropën janë përsëri në rritje pas një periudhe të rënies. Gjenerata e re e kërcënimeve kibernetike është këtu. Dhe, sigurisht, ndikimi i konflikteve dhe kushteve të paqëndrueshme ekonomike në mbarë botën shtrihet edhe në Evropë", tha Al Raisi.
Duke folur për ngjarjen e sotme, ai tha se takimi synon të ndërtojë një botë më të sigurt. Sipas tij, kjo do të arrihet nëpërmjet shkëmbimit të informacioneve nga terreni, duke marrë parasysh mendimet e ekspertëve teknikë dhe ndërtimin e një partneriteti më të fuqishëm.
Al Raisi theksoi se konferenca do të fokusohet në dy fusha kyç, duke shtuar: "Së pari, roli kyç i Evropës në luftën kundër formave ekzistuese dhe të reja të krimit dhe, së dyti, rëndësia e shkëmbimit të informacionit dhe bashkëpunimit në gjithë rajonin dhe botën. Sot Evropa sfidohet nga shumë lloje krimesh. Krimi i organizuar është një sfidë kyç, ndërsa format e ndryshme të trafikimit të qenieve njerëzore, terrorizmit dhe krimit kibernetik janë gjithashtu në rritje. Këto krime transnacionale jo vetëm që kërcënojnë sigurinë dhe sigurinë e rajonit, por gjithashtu kanë një efekt përhapës në pjesën tjetër të botës".
Duke uruar një diskutim të frytshëm gjatë konferencës treditore, ministri Spasovski në fjalën e tij përshëndeti të pranishmit, duke shtuar se është nder që Maqedonia e Veriut është nikoqire e konferencës.
Ai theksoi se Maqedonia e Veriut ishte dhe do të jetë një partner strategjik tek i cili INTERPOL-i mund të mbështetet në të ardhmen.
Në Konferencën e 50-të Rajonale Evropiane të INTERPOL-it marrin pjesë ministra të Brendshëm dhe shefa policie nga Evropa, zyrtarë të lartë të INTERPOL-it dhe ekspertë të sigurisë.