Këshilli i Lartë i Radios dhe Televizionit të Türkiyes (RTÜK) dhe Autoriteti i Mediave Audiovizive të Shqipërisë (AMA) kanë nënshkruar një memorandum bashkëpunimi, i fokusuar në disa fusha.
Delegacioni i RTÜK-ut, i kryesuar nga kryetari Ebubekir Şahin, realizoi një takim me kryetaren e AMA-s, Armela Krasniqi, dhe delegacionin që ajo kryesonte, ndërsa pjesë e diskutimeve ishin fushat e bashkëpunimit, ndërkohë u prezantua edhe puna e dy institucioneve.
Memorandumi i bashkëpunimit u nënshkrua nga Şahin dhe Krasniqi, në ambientet e Autoritetit të Mediave Audiovizive të Shqipërisë, i fokusuar në fushat e edukimit mediatik, matja e audiencës, hulumtimi i opinionit publik dhe metodologjia e monitorimit.
Kryetari i RTÜK-ut, Şahin, në një deklaratë për mediat pas nënshkrimit të memorandumit u shpreh se është duke zhvilluar një vizitë zyrtare pranë AMA-s dhe shtoi se kjo vizitë dhe ky takim është realizuar me gjithë përpjekjet e kryetares së AMA-s.
Duke folur se kanë nënshkruar memorandumin e bashkëpunimit ai tha se "Do të vazhdojmë punën tonë në të ardhmen si në kuadër të memorandumit ashtu edhe duke ruajtur marrëdhëniet dypalëshe".
Şahin theksoi se marrëdhëniet Türkiye-Shqipëri kanë një nivel tjetër dhe sipas tij janë marrëdhënie shumë të shkëlqyera.
"Unë jam i gatshëm ta mirëpres edhe kryetaren e AMA-s në një kohë shumë të shkurtër në Ankara", u shpreh ndër të tjerash Şahin.
Kryetarja e AMA-s, Armela Krasniqi, në deklaratën e saj për mediat pas nënshkrimit të memorandumit u shpreh se është shumë e lumtur që mirëpret në Tiranë delegacionin e nivelit të lartë nga RTÜK-u.
"Patjetër që është një bashkëpunim që shpresojmë se do të jetë shumë i frytshëm që nis që nga shkëmbimi i përvojave më të mira, por patjetër duke zbritur më tej në nivel ekspertësh. Sigurisht që presim që bashkëpunimi dhe gjitha kontaktet tashmë nga sot e tutje të jenë më të thella dhe më të shpeshta", u shpreh Krasniqi.
Ajo theksoi se fushat e bashkëpunimit të këtij memorandumi ndërmjet dy institucioneve rregullatore do të jenë pikësëpari edukimi mediatik, hulumtimi i opinionit publik dhe matjes së audiencës, duke shtuar se patjetër duhet përvoja e rregullatorit turk.
Ndërkohë, sipas AMA-s, memorandumi i hap rrugën një bashkëpunimi të gjatë mes dy institucioneve, në përmirësimin e mëtejshëm të punës, në shkëmbimin e eksperiencave ose edhe trajnimet e stafeve përkatëse.