Neshiq-Spasovski: Stabiliteti i Ballkanit nënkupton stabilitet të Evropës / Foto: AA

Ministri i Sigurisë së Bosnjës e Hercegovinës, Nenad Neshiq, ka pritur sot në takim në Sarajevë ministrin e Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut, Oliver Spasovskin, me të cilin ka biseduar për bashkëpunimin e ndërsjellë ndërmjet institucioneve kompetente dhe sigurisë në rajon dhe më gjerë.

Para takimit, Neshiq deklaroi se në fokus të Ministrisë së Sigurisë së BeH-së dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut është anëtarësimi në Bashkimin Evropian dhe siguria dhe stabiliteti i rajonit dhe i Evropës.

"Pas Europolit dhe vendosjes së bashkëpunimit të plotë, ne zgjodhëm Frontex-in si hapin tjetër. Maqedonia e Veriut e përmbylli me sukses këtë angazhim dhe ne kemi nevojë për ndihmë dhe mbështetje në këtë drejtim", tha Neshiq.

Siç tha ai, Maqedonia e Veriut dhe BeH-ja si dhe e gjithë Evropa, duhet të veprojnë të bashkuar për të parandaluar kriminelët që të përfitojnë nga hallet e njerëzve.

"Për ne në Ballkanin Perëndimor, vetë ideja e Frontex-it bart mesazhin se ne në njëfarë mënyre jemi pjesë e hapësirës unike evropiane. Ne mbetet që të përfitojmë prej saj. Vendet tona janë një udhëkryq që përdoret nga kriminelët, kontrabandistët dhe trafikantët e qenieve njerëzore kur përpiqen t'i shmangen sundimit të ligjit dhe drejtësisë", theksoi Neshiq.

Spasovski theksoi se me BeH-në kanë marrëdhënie të jashtëzakonshme, miqësore dhe partneriteti.

"Jemi duke punuar për nënshkrimin e disa kontratave dhe protokolleve mes dy ministrive tona që kanë të bëjnë para së gjithash me një bashkëpunim më të mirë në fushën e mjekësisë ligjore, ekspertizës dhe trajnimeve të përbashkëta. Do të ndajmë përvojën tonë të bisedimeve për marrëveshjen e Frontex-it. Takimet tona të përbashkëta dërgojnë mesazh të fortë se, para së gjithash, ne të gjithë jemi të orientuar drejt një bashkëpunimi më të mirë rajonal në fushën e sigurisë, luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, me synimin për të ofruar sigurinë më të mirë të mundshme dhe një jetë më të mirë për qytetarët tanë", tha Spasovski.

Dy bashkëbiseduesit iu referuan edhe çështjes së kthimit të grave dhe fëmijëve nga Siria, gjatë së cilës ministri i Sigurisë së BeH-së, Neshiq përsëriti deklaratën e tij të mëparshme se do të insistonte për kontrolle më të rrepta të sigurisë.

Siç tha ai, të gjithë qytetarët e BeH-së që ndodhen në Siri, përfshirë fëmijët, nuk do të hyjnë në vend derisa të kryhen të gjitha kontrollet.

Homologu i tij, Spasovski, tha se një nga prioritetet e Maqedonisë së Veriut që nga viti 2017 është lufta kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, jo ​​vetëm në drejtim të vendosjes së masave represive, por formimit të një komisioni të posaçëm që do të luftojë kundër dukurive dhe risocializimit të këtyre qytetarëve.

AA