Viti 2023 për Maqedoninë e Veriut ishte me përplot zhvillime të rëndësishme.
Që në fillim të vitit më 12 janar nën moton "Fjala është për njerëzit", Maqedonia e Veriut mori zyrtarisht presidencën e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) për vitin 2023.
Kështu, më 31 janar Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, si kryesues i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) para Këshillit të Atlantikut të Veriut të NATO-s në Bruksel prezantoi programin e Maqedonisë së Veriut si kryesuese e organizatës në vitin 2023.
Më 6 shkurt, institucionet qendrore dhe lokale të Maqedonisë së Veriut solidarizohen me Türkiyen, më vonë duke shpallur edhe ditë zie, pas tërmeteve katastrofike që goditën pjesën jugore të vendit, ku humbën jetën më shumë se 40 mijë njerëz.
Marsi i ngjeshur për Maqedoninë e Veriut
Me të filluar muaji mars, në Shkup u organizua ngjarje dyditore “Forumi i Dytë Ekonomik”, organizuar nga Forumi Ekonomik Delphi dhe Shoqata Helenike e Biznesit, ku morën pjesë përfaqësues të lartë nga politika, ekonomia, biznesi dhe teknologjia nga vendi, rajoni dhe më gjerë.
Më 8 mars, në praninë e ambasadorit turk, Hasan Mehmet Sekizkök dhe ambasadores amerikane, Angela Price Aggeler, në qeverinë e Maqedonisë së Veriut u nënshkrua kontratë nga përfaqësues të qeverisë dhe të konsorciumit turko-amerikan “Bechtel-Enka” për ndërtimin e seksioneve të korridoreve 8 dhe 10-D.
Një ngjarje tjetër e muajit mars pas zhvillimit të takimit të 16-të të Këshillit të Stabilizimit dhe Asociimit midis Maqedonisë së Veriut dhe BE-së, i cili për herë të parë u mbajt në Shkup, shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, dhe komisari i BE-së për zgjerim, Oliver Varhelyi, nga Shkupi bënë thirrje për arritjen e konsensusit të brendshëm politik në Maqedoninë e Veriut për miratimin e ndryshimeve kushtetuese, në mënyrë që vendi të ecë përpara drejt integrimit të plotë në bllokun evropian.
Ndërsa me 18 mars Maqedonia e Veriut ishte nikoqire e takimit të radhës të nivelit të lartë të dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, i cili u zhvillua në Ohër me ndërmjetësimin e BE-së, ku kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq nënshkruan një propozim-marrëveshje.
Aktivitetet e muajit mars u përmbyllën më 27 mars me një ceremoni qendrore në kazermën “Ilinden” në Shkup, ku u mbajtën ushtrime demonstruese të ushtrisë në prani të kreut shtetëror, përfaqësuesve më të lartë të ushtrisë dhe përfaqësuesve të trupit diplomatik, u shënua trevjetori i anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO.
FRONTEX dhe INTERPOLI
Gjysma e dytë e gjashtë mujorit të parë të vitit 2023 për Maqedoninë e Veriut do të mbahet mend për aktivitete të Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Më 20 prill Ministria e Punëve të Brendshme nëpërmjet një ceremonie të organizuar në Shkup shënoi fillimin zyrtar të operacionit të përbashkët të Agjencisë Evropiane për Menaxhimin e Kufijve të Jashtëm të Vendeve të BE-së (FRONTEX) në Maqedoninë e Veriut.
Nga ana tjetër, më 8 maj në Ohër të Maqedonisë së Veriut me një ceremoni solemne filloi Konferenca e 50-të Rajonale Evropiane e INTERPOL-it, ku për tri ditë ministra të brendshëm dhe shefa të policisë nga Evropa, zyrtarë të lartë të INTERPOL-it dhe ekspertë të sigurisë diskutuan ide për përmirësimin e sigurisë globale. Gjysma e dytë e vitit 2023 dedikuar politikës së jashtme
Në gjysmën e dytë të vitit 2023 kryesisht në Maqedoni kishte aktivitete dedikuar politikës së jashtme.
Më 15 qershor në qytetin e Strugës filloi Forumi i Prespës për Dialog (FPD), me pjesëmarrjen e zyrtarëve të lartë nga vendi dhe zyrtarëve të shumtë të rajonit dhe më gjerë nga bota. Ngjarja dyditore u mbajt dy ditë para shënimit të 5-vjetorit të Marrëveshjes së Prespës midis Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, me të cilin u zgjidh kontesti i emrit të vendit dhe u mundësua anëtarësimi në NATO.
Më pas, më 11 shtator Presidenti i Maqedonisë së Veriut Stevo Pendarovski priti në Shkup presidentët e vendeve pjesëmarrëse në Procesin Bërdo-Brijuni, respektivisht presidentët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe presidentët e Kroacisë dhe Sllovenisë.
Një event tjetër i rëndësishëm për Maqedoninë e Veriut, por kësaj rradhe në aspektin kulturor ishte më 21 shtator ku Ministrja e Kulturës, Bisera Kostadinovska-Stojçevska, në një konferencë për media njoftoi përzgjedhjen e Shkupit nga Komisioni Evropian si Kryeqyteti Evropian i Kulturës për vitin 2028.
Viti 2023 u përmbyll me dy ngjarje të nëntorit ku më 22 nëntor Sekretari i NATO-s, Jens Stoltenberg, së bashku me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski pritën në një takim në Shkup kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama, atë të Malit të Zi, Millojko Spajiq dhe presidentin e Kroavisë Zoran Millanoviq.
Ndërsa më 30 nëntor në Shkup filloi takimi dyditor i Këshillit Ministerial të 30-të të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), ku morën pjesë delegacionet e vendeve pjesëmarrëse.