Nga sot në pikën kufitare mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në Qafë Thanë hyri në fuqi koncepti i ri kufitar “Një ndalesë – Një kontroll”. Qëllimi i këtij koncepti të funksionimit të kufirit synon lehtësimin qarkullimit të njerëzve dhe mallrave me procedura shumë të thjeshta.
E gjithë kjo u kremtua në një ceremoni zyrtare nga kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe ai i Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski.
Rama në fjalimin e tij vlerësoi rëndësinë e këtij vendimi të përbashkët.
“Ky është një moment i rëndësishëm për të gjithë ata që kalojnë nga kjo pikë kufitare, qofshin individë ose kompani që shkëmbejnë mes dy vendeve. Është një moment i rëndësishëm sepse më në fund ua lehtësojmë në mënyrë të konsiderueshme kalimin në këtë pikë dhe patjetër japim një shtysë të mëtejshme jo vetëm shkëmbimeve tregtare, por edhe zhvillimit të marrëdhënieve tona në tërësi pa harruar edhe zhvillimin e turizmit”, tha ai.
Kryeministri theksoi se Shqipëria këtë vit po përjeton një impakt të jashtëzakonshëm të transformimit të imazhit të saj.
“Si asnjë vit më parë, fluksi i turistëve, por edhe numri i investitorëve të mëdhenj ndërkombëtarë të interesuar për të investuar në industrinë e turizmit në Shqipëri, së bashku me shqiptarët e diasporës, ose edhe ata që banojnë në Shqipëri është realisht tejet inkurajues”, tha ai.
Rama theksoi se zhvillimi i mëtejshëm dhe rritja e dëshiruar e industrisë së turizmit, ashtu sikurse edhe rritja e dëshiruar e sektorëve të tjerë të prodhimit kërkojnë një qasje komplekse.
Pjesë e domosdoshme e kësaj qasjeje, sipas tij, është pikërisht transformimi në funksion të lehtësimit të kalimit të kufijve.
Kovaçevski: Lehtësimi i fluksit të njerëzve dhe kapitalit
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski në fjalimin e tij tha se kjo formë e kontrollit kufitar mundëson qarkullim më të shpejtë të qytetarëve nga të dyja vendet, por edhe të kompanive që transportojnë produkte në këtë pikë kufitare.
Në pikën kufitare në Qafë Thanë, ai theksoi se në këtë mënyrë u lehtësohet puna 11 mijë kompanive vendore që janë të orientuara drejt eksportit dhe tregtisë me vendet e tjera, si dhe u lehtësohet aksesi në portet dhe vendet turistike në Shqipëri.
“Lehtësimi i fluksit të njerëzve dhe kapitalit rrit njëkohësisht lidhjet dhe komunikimin mes njerëzve. Gjithashtu, rrit miqësinë mes njerëzve, diçka që i mungonte Shqipërisë dhe Maqedonisë në atë kohë për gjysmë shekulli, por tani jemi shembull se si duhet të sillen dy vendet fqinje”, tha Kovaçevski.