Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) në një ushtrim të përbashkët me Trupat speciale të Forcave të Armatosura të Shqipërisë dhe Njësinë e Ndërhyrjes së Shpejtë të Policisë së Kosovës kanë testuar aftësitë reaguese dhe ndërvepruese gjatë operacioneve speciale.
Sipas ministrit të Mbrojtjes të Kosovës, Ejup Maqedonci, ky operacion u bë nën vëzhgimin e Komandës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) të Operacioneve Speciale për Evropën.
"Gjatë stërvitjes ‘ValorShield24’, trupat e njësive tona simuluan skenarë të ndryshëm, përfshirë operacione të zbulimit taktik, operacione psikologjike, analizimin e të dhënave të zbulimit, përdorimin e dronëve gjatë fazave të zhvillimit të operacioneve për goditjen e objekteve, si dhe parandalimin e veprimeve të grupeve taktike sulmuese", shkroi Maqedonci.
Ministrat e Mbrojtjes nga Kosova dhe Shqipëria janë zotuar vazhdimisht për bashkëpunim të dendur në fushën e mbrojtjes midis të dyja shteteve, duke konsideruar se një gjë e tillë është në interes të të dyja vendeve dhe në funksion të paqes, stabilitetit dhe sigurisë rajonale.