Viti i ri shkollor në rajon ka filluar tashmë disa javë, por një pjesë e madhe e nxënësve akoma nuk janë furnizuar me materialet elementare për mësim, tekstet shkollore. Ky problem po vijon në më shumë vende të rajonit, megjithëse arsyet janë të veçanta për secilin shtet.
Në disa vende, problemi përsëritet nga viti në vit, ndërsa institucionet nuk po arrijnë të gjejnë një zgjidhje sistematike për ta nisur vitin shkollor të përgatitur.
Nga ajo që raportohet, vetëm nxënësit në Shqipëri janë furnizuar në kohë me libra dhe kanë filluar vitin shkollor normalisht. Qeveria e Shqipërisë shpërndan libra falas për nxënësit e shkollave 9-vjeçare, ndërsa klasat e para, të dyta dhe të treta marrin libra të reja për një përdorim.
Kosovë: Rrëmujë me rimbursimin e Qeverisë
Pas mosmarrëveshjeve me botuesit, Qeveria e Kosovës vendosi këtë vit të rimbursojë prindërit për blerjen e teksteve shkollore, në vend se t’i blejë ato si qeveri e më pas t’ua shpërndajë nxënësve.
Ky ndryshim pak para fillimit të vitit shkollor solli rrëmujë, me një numër të madh të prindërve që po hasin në vështirësi gjatë hapjes së xhirollogarive dhe aplikimit për fondet për libra.
Gjithashtu, në Kosovë raportohet edhe për probleme të tjera rreth shpërndarjes së materialeve mësimore, ndërsa Ministria e Arsimit ka fajësuar drejtoritë komunale për menaxhimin e grumbullimit të të dhënave dhe dërgimit të tyre në ministri.
Maqedoni e Veriut: Akoma mungojnë tekstet shkollore në disa lëndë
Nxënësit e klasave të treta dhe të gjashta në Maqedoninë e Veriut e kanë filluar vitin shkollor pa tekste shkollore. Ministri i Arsimit dhe i Shkencës Jeton Shaqiri njoftoi në fund të shtatorit se tashmë janë siguruar tekstet shkollore për klasën e tretë, ndërsa nxënësit e klasave të gjashta duhet të presin edhe pak akoma.
“Komisioni Kombëtar ka miratuar tekstet për gjuhën maqedonase dhe shqipe, shkencat natyrore, ndërsa procedura e ankesës duhet të presë edhe pesë ditë për tekstin e matematikës. Të gjitha tekstet e tjera janë dorëzuar në grafiko-teknikë dhe shtypshkronjë me një plan të dorëzimit në shkolla”, tha Shaqiri.
Viti i ri shkollor në Maqedoninë e Veriut ka filluar që në fillim të shtatorit.
Luginë e Preshevës: Gjimnazistët duhet të blejnë librat në Kosovë
Nxënësit shqiptarë të Luginës së Preshevës, të cilët vijojnë mësimin në gjuhën amtare, për shumë vite janë përballur me problemin e mungesës së teksteve shkollore. Megjithëse për filloristët u zgjodh problemi nga viti 2021, nxënësit e shkollave të mesme vazhdojnë të përballen me këtë problem.
Edhe disa javë pas fillimit të mësimit, një pjesë e madhe e nxënësve nuk e kanë materialin e nevojshëm për vijimin normal të procesit arsimor.
Ata duhet të udhëtojnë në Kosovë për t’u furnizuar me libra. Ndërkohë, edhe profesorët e shkollave të mesme, në mungesë të literaturës, shërbehen me skripta dhe shënime për të improvizuar një orë mësimi.
Qeveria e Kosovës këtë vit ka ndarë 250 mijë euro për furnizimin e nxënësve filloristë në Luginën e Preshevës me libra në gjuhën shqipe. Megjithatë, deri tani nuk ka një marrëveshje dhe leje nga Ministria e Arsimit e Serbisë për furnizimin me literaturë në gjuhën shqipe për mësimin gjimnazist.