Ministria e Arsimit dhe e Sportit në Shqipëri nëpërmjet selive diplomatike shqiptare kanë dërguar 14 mijë libra “Gjuha Shqipe dhe Kultura Shqiptare” për fëmijët e diasporës që të sigurojnë se fillimi i vitit të ri shkollor do t’i gjejë klasat e gjuhës shqipe në diasporë me tekstet e reja.
Ministrja e Arsimit dhe e Sportit, Ogerta Manastirliu, tha se MAS-i është e angazhuar të mbështesë fëmijët e diasporës, të cilët do të kenë këtë vit edhe Nivelin II të librit të përbashkët “Gjuha Shqipe dhe Kultura Shqiptare”.
“Përpara vitit të ri shkollor po bëjmë të mundur shpërndarjen e teksteve në diasporë. Edhe në këtë vit, në Vitin e Gjuhës Shqipe, kemi qenë të gjithë të angazhuar të ecim sa më shpejt për çfarë nevojitet, për sa i përket kompletimit me tekste të niveleve të ndryshme në gjuhën shqipe. Janë më shumë se 14 mijë tekste, të cilat janë dërguar në diasporë”, tha Manastirliu.
Në Vitin e Gjuhës Shqipe, angazhimi i Ministrisë së Arsimit dhe të Sportit ka qenë maksimal për të siguruar kompletimin me tekste të niveleve të ndryshme në gjuhën shqipe në shkollat e gjuhës shqipe në Itali, Greqi, Gjermani, Türkiye, Austri, Rumani, Danimarkë, Slloveni, Izrael, Britani e Madhe, Belgjikë, Suedi dhe Kroaci.
“Kemi realizuar të gjithë menaxhimin nëpërmjet ambasadave, të nevojave që shoqatat për mësimin e gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare kanë qoftë për tekstet, por dhe me programe të tjera, të cilat ne jemi duke zhvilluar, sikurse është programi “Mësues për Greqinë”. Shpërndarja e librave është bërë sipas nevojave të paraqitura nga ambasadat tona në vende të ndryshme, me fokus të veçantë në vendet ku kemi një përvojë dhe praktikë të mirë përcaktuar, si Greqia, Italia, Gjermania, Britania e Madhe dhe vende të tjera”, tha Manastirliu.
Për herë të parë këtë vit, është botuar Niveli II i librit plotësues “Gjuha shqipe dhe kultura shqiptare”.
Ministrja bëri të ditur se po punohet edhe për Nivelin III të këtij libri, në bashkëpunim me Kosovën, si dhe se edhe ky nivel do të dërgohet në diasporë sapo të jetë gati.
Ministrja tha se ky vit ka sjellë gjithashtu edhe një risi tjetër: Tekstet e Nivelit II janë digjitalizuar dhe mund të aksesohen në faqen e Qendrës së Botimeve për Diasporën.
“Kjo mundësi e re është shumë e dobishme për mësuesit, prindërit dhe fëmijët, duke ofruar module të ndryshme të teksteve për përdorim gjatë mësimeve të gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare. Ministria e Arsimit dhe e Sportit vazhdon të jetë e përkushtuar në mbështetjen e gjuhës dhe kulturës shqiptare në diasporë, duke siguruar që fëmijët tanë të kenë mundësinë të mësojnë dhe të zhvillojnë gjuhën dhe kulturën e tyre amtare”, tha Manastirliu.